Komisioneri i Lartë për Refugjatët, Filippo Grandi, ka deklaruar se UNHCR beson siç tha më herët presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, se kthimi i refugjatëve në Siri mund të realizohet vetëm vullnetarisht.

Shefi i Kombeve të Bashkuara (OKB) për refugjatët, Grandi, u adresua në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në ditën e dytë të Forumit Global të Refugjatëve në Gjenevë të bashkë-kryesuar nga Turqia.

Grandi theksoi se forumi me 3 mijë pjesëmarrës të regjistruar është ngjarja më e madhe që UNHCR ka arritur në historinë e saj. Ai u pyet për atë që presidenti Erdoğan tha më herët në përcaktimin e një plani për kthimin e shpejtë të refugjatëve sirianë.

“Qëndrimi ynë për kthimin është gjithmonë i njëjtë. Kthimi mund të jetë vetëm vullnetar, vet presidenti Erdoğan tha shumë qartë… kthimi mund të jetë vetëm vullnetar”, tha Grandi.

Siç tha ai, qëndrimi i UNHCR-së ka qenë gjithmonë ashtu që njerëzit që kthehen në Siri nga kudo qoftë meritojnë mbështetje humanitare dhe shprehu shpresë që kjo të realizohet në të vërtetë.

Nga ana tjetër, Guterres tha se viteve të fundit “zhvendosja e detyruar globale është rritur në mënyrë të qëndrueshme”.

Ai shpjegoi se në vitin 2005, kur filloi të ushtrojë postin si komisioner i lartë për refugjatët, kishte 38 milionë të zhvendosur në botë, ndërsa agjencia e refugjatëve po ndihmonte kthimin në shtëpi të një milionë njerëzve për çdo vit.

“Sot, më shumë se 70 milionë njerëz janë shpërngulur me forcë, dyfishi krahasuar me 20 vite më parë dhe 2.3 milionë më shumë krahasuar me një vit më parë”, tha Guterres.

Më herët, presidenti Erdoğan tha se kthimi i sigurt i refugjatëve është çelësi i stabilitetit të përhershëm dhe normalizimit në Siri, ashtu sikurse përpjekjet e kundër-terrorizmit.

“Kthimi i refugjatëve është po aq i rëndësishëm sa lufta kundër terrorizmit në vendosjen e një stabiliteti të përhershëm dhe normalizimit në Siri”, tha Erdoğan në Forumin Global të Refugjatëve.

“Mbajtja e refugjatëve brenda kufijve turq nuk mund të shihet si zgjidhja e vetme për krizën e refugjatëve sirianë”, shtoi ai.

Erdoğan po ashtu theksoi se Turqia aktualisht strehon pesë milionë refugjatë, prej të cilëve 3.7 milionë janë sirianë. Ai tha se Turqia kurrë nuk riatdhesoi me forcë asnjë prej tyre.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb