Qëndresa Qytetare ka reaguar pas urdhër-arrestit ndaj Rektores së Universitetit të Shkodrës. Sipas Qëndresës, identiteti akademik i vendit po zhbëhet, teksa i kërkon Profesoratit të distancohet nga aktet korruptive të drejtuesve!

“Nisur nga ngjarjet e fundit ne dy universitetet kryesore Rajonale, Qëndresa Qytetare shpreh shqetësimin për Vendimin e Senatit te Universitetit “Fan Noli” për vet-shkrirje nën emrin e Universitetit të Tiranës dhe shpalljen në kërkim të Rektores së Universitetit Luigj Gurakuqi. Vetëm në 30 ditë Konferencës së Rektorëve tashmë i mungojnë 3 prej tyre dhe kjo gjë nuk shqetëson asnjë vendimmarrës.

Prej vitit 2017 çdo shtator kemi paralajmëruar që kjo ditë do të vinte nëse Universitetet nuk reformonin kurrikulat, nuk rrisnin transparencën dhe paratë e studenteve nuk ia dedikonin zhvillimit shkencor, por naftës, dietave dhe rojeve”, deklaron Qëndresa Qytetare.

Sipas saj, në këtë situatë keqmenaxhimi universitar, e vetmja rrugë e shpëtimit të universitetit është vettingu akademik dhe pasuror i drejtuesve të tyre.

“Universitetet shqiptare duhet të ndahen njëherë e mirë nga fenomeni i korrupsionit, i trafikut të notave dhe i shpërdorimit të parave. Identiteti dhe integriteti akademik i vendit nuk mund të jetë peng i disa drejtuesve që e trajtojnë postin si çiflig personal e pasojat i vuan universiteti, studentët e pedagogët.
Stafet e profesorëve, ashtu siç u ngritën për pagat dhe transparencën, sot duhet të tregojnë publikisht se janë kundër shkrirjes me porosi të universiteteve dhe albanologjisë, kundër korrupsionit, kundër axhendës anti – universitet dhe pro arsimit cilësor”, shprehet Qëndresa Qytetare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb