Ukraina po përgatitet të organizojë një paradë ushtarake muajin tjetër, që shënon 30 vjetorin e pavarësisë, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe ministria e mbrojtjes të premten publikoi disa fotografi të grave ushtarake që mbanin taka.
“Sot, për herë të parë, trajnimi zhvillohet me këpucë me taka”, u citua të thoshte kadetja Ivanna Medvid.

“Është pak më e vështirë sesa në çizmet e ushtrisë, por ne po përpiqemi,” shtoi Medvid. Kjo gjë ka ngjallur polemika në Ukraine.

Disa ligjvënës ukrainas pranë ish-presidentit të Ukrainës, Petro Poroshenko u paraqitën në parlament me një palë këpucë dhe me ironi inkurajuan ministrin e mbrojtjes të mbante taka të larta në paradë.

“Është e vështirë të imagjinohet një ide më idiote, dhe më e dëmshme,” tha Inna Sovsun, një anëtare e partisë Golos, duke treguar rreziqet shëndetësore.

Ajo gjithashtu tha se gratë ushtare të Ukrainës – si burrat – po rrezikonin jetën e tyre dhe “nuk meritojnë të tallen”.

Ukraina ka luftuar me separatistët e mbështetur nga Rusia, në një konflikt që ka vrarë më shumë se 13,000 njerëz që nga 2014.

Olena Kondratyuk, tha se autoritetet duhet të kërkojnë falje publike për “poshtërimin” e grave dhe të kryejnë një hetim.

Kondratyuk tha se më shumë se 13,500 gra kishin luftuar në konfliktin aktual.

Më shumë se 31,000 gra tani shërbejnë në forcat e armatosura të Ukrainës, 4,000 prej të cilave janë oficerë.

Zgjedhja e këpucëve ndezi një lumë kritikash në mediat sociale dhe në parlament dhe çoi në akuza se gratë ushtare ishin seksualizuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb