Udhëtarët që vijnë nga Kina për në Britani nuk do u kërkohet izolim edhe nëse rezultojnë të infektuar me Covid-19.

Rastet e Covid në Kinë vazhdojnë të rriten pas vendimit të papritur të Pekinit për t’i dhënë fund shumicës së kufizimeve të tij të rënda pandemike.

Qeveria e Britanisë ka deklaruar se linjat ajrore kanë për detyrë të kontrollojnë pasagjerët nga Kina duke u bërë teste para nisjes dhe njëkohësisht duhet të kenë dhe rezultatin gati.

Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Britani do të nisë gjithashtu mbikëqyrjen nga 8 janari, në të cilën një mostër pasagjerësh që mbërrijnë në Angli nga Kina do të testohen për virusin kur të mbërrijnë.

Urdhri është krijuar për t’u lidhur me politikën e SHBA-së dhe po bëhet sepse qeveria beson se ka mungesë të të dhënave të besueshme nga Kina.

Sekretari i Shtetit për Transportin i Britanisë, Mark Harpe në një deklartë për mediat vendase është shprehur se: “Një në 45 njerëz në Mbretërinë e Bashkuar janë infektuar me Covid-19 për momentin. Ne menaxhojmë Covid-in tani duke u siguruar që kemi nivele shumë të larta vaksinimi, prandaj njerëzit që janë në rrezik, anëtarët e moshuar të komunitetit, për shembull, duhet të sigurohen që të marrin vaksinën e tyre të katërt përforcues këtë dimër. Politika për të ardhurit nga Kina ka të bëjë kryesisht me mbledhjen e informacionit që qeveria kineze nuk po ndan me komunitetin ndërkombëtar.”

Kujtojmë që Italia, Japonia, Tajvani, SHBA dhe disa shtete të tjera kanë marrë masa kufizuese në lidhje me udhëtarët që vijnë nga Kina.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: