NGA TEDI BLUSHI*

Institucionet shtetërore refuzojnë t’i japin një sqarim zyrtar pyetjes: Ç’ka ndodhur 5 vjet pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes për ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë të rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore? Misteri ka mbështjellë gjithçka. Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Punëve të Jashtme ia kalojnë njëra-tjetrës detyrimin për t’i dhënë përgjigje, kërkesës së “Gazeta Shqiptare”: Në cilën fazë ndodhet dhe a ka përfunduar procesi i zhvarrimit të ushtarëve grekë?

“Kam mendimin se informacionin më të saktë mund ta merrje te Ministria e Jashtme sesa te ne. Ne po fillojmë punën tonë, por nuk mund të parashikoj se do ju vlejë informacioni ynë rreth këtij problemi”, – shprehet në një email drejtuar “GSH”-së, Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Kolonel Vasillaq Balca, tek i cili na orientuan për të marrë përgjigje.

Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme, në sqarimin e saj për çështjen i përgjigjet “GSH”: “Institucioni drejtues dhe koordinues i këtij Komisioni (për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve grekë) për palën shqiptare, është Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë”.

Por “pingpongu” mes dy institucioneve nuk përfundon këtu. Pas marrjes së përgjigjes nga MPJ-ja, “Gazeta” iu drejtua sërish ministrisë së Mbrojtjes. Kjo edhe për faktin se në bazë të vendimit Nr.496, datë 26.6.2011, për zbatimin e marrëveshjes dypalëshe, ky institucion ngarkohet ligjërisht të ndjekë procesin e shpronësimit të trojeve për ndërtimin e vendprehjeve të ushtarëve grekë si edhe në bashkëpunim me organet e qeverisjes vendore të ndjekë zhvillimin e punimeve.

“Mbrojtja” detyrohet që në bashkërendim me Ministrinë e Brendshme të ndërmarrë edhe të gjitha procedurat ligjore për marrjen në administrim të trojeve që do t’i vihen në dispozicion palës greke për ndërtimin e varrezave. Dhe në përgjigjen e tij, kolonel Balca, në emër të institucionit, përgjigjet: “Pasi kërkuam informacion nga struktura përkatëse dhe personat e caktuar në Ekipin e Ekspertëve shqiptarë, rezulton se ekipi është ngritur me urdhër të Kryeministrit të RSH dhe në të bëjnë pjesë përfaqësues nga disa institucione të vendit. Çdo informacion lidhur me ecurinë e punës mbahet me institucionin që ka ngritur grupin e punës. Për sa më sipër sugjerojmë të interesoheni në institucionin kryesor të aktivitetit”.
DYSHIMET
Askush nuk di të thotë çfarë, e kjo ndoshta ngaqë qeveria ka vendosur të mos japë një qëndrim institucional për një nga çështjet më të debatuara në vend. Tirana zyrtare, ose ka vendosur të mos e respektojë marrëveshjen me Athinën, ose me respektimin e saj ka dalë “mbi” vetë marrëveshjen. Refuzimi i detyrimit për të bërë transparencën i shton edhe më tepër dyshimet që e kanë shoqëruar prej kohësh paktin dypalësh me Greqinë, që parashikon ndërtimin e vetëm dy vendprehjeve për eshtrat e ushtarëve grekë, një në Këlcyrë dhe një në Bularat.

Në media është pretenduar se në fakt, në “shkelje” të marrëveshjes qeveria shqiptare, qysh në kohën kur atë e drejtonte Sali Berisha, ka pranuar “në heshtje” edhe ndërtimin e një varreze të ngjashme në fshatin Çiflig të Korçës dhe të një tjetre në Ersekë. Por asgjë e konfirmuar. Në dhjetor të vitit 2012, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë kërkoi leje nga Tirana për të gërmuar në 696 zona të ndryshme të Shqipërisë, kryesisht fshatra dhe qytete në Jug të vendit, ku shpresonte se mund të gjenden eshtra të ushtarëve grekë.

Në shkurt të vitit 2013, “Gazeta Shqiptare” mundi të sigurojë ekskluzivisht një letër të Ministrisë së Mbrojtjes, drejtuar asaj të Brendshme, ku e informonte se punimet, sipas kërkesës së palës greke, duhej të fillonin në Prefekturat e Korçës e Gjirokastrës, respektivisht në Korçë (qytet qendër), në Kalivaç të Pogradecit, Hormovë e Peshtani në Tepelenë si edhe në Peshkëpi e Poshtme të Gjirokastrës. Dy vjet më pas ende nuk dihet ç’po ndodh. Në 15 mars 2010, në mbledhjen me dyer të mbyllura të Komisionit parlamentar për Punët me Jashtë, një specialiste e Drejtorisë së Çështjeve Juridike dhe të së Drejtës Ndërkombëtare, Suela Janina ka sqaruar para deputetëve se numri i të rënëve, sipas listës që komisioni i palës greke i ka paraqitur palës shqiptare, arrin në rreth 1.200 vetë. Të gjendur përballë kësaj kërkese, në datën 11 janar 2012, kryeministri i kohës, Sali Berisha nxori edhe urdhrin Nr.3, që përcaktonte ekspertët e palës shqiptare në Komitetin e Përbashkët për kërkimin dhe zhvarrimin e ushtarëve grekë të rënë në territorin tonë. Dhe prej asaj kohe, nuk dihet ç’po ndodh.
SQARIMI
I vetmi zyrtar i shtetit shqiptar që hedh pak dritë mbi të vërtetën e varrezave greke është ambasadori ynë në Athinë, Dashnor Dervishi. Në një intervistë të dhënë pak javë më parë për “Indepedent Balkan News Agency”, Dervishi ka folur mbi çështjet e nxehta bilaterale me Greqinë, paktin detar e “varrezat”, duke theksuar angazhimin e Tiranës për zgjidhjen e tyre. “Në shkurt të këtij viti (2015), qeveria shqiptare i ka bërë një kërkesë zyrtare qeverisë greke për t’i hapur rrugë këtij procesi human që lidhet me të rënët e luftës. Në muajt e fundit ka pasur një përgjigje pozitive nga qeveria greke në takimet mes dy komisioneve”, – sqaron Dervishi. Se për ç’motiv qeveria shqiptare nuk flet zyrtarisht për këto takime, duke ruajtur mistere në deklarimet e saj, kjo mbetet për t’u parë. Ajo që dihet me siguri është se institucionet shqiptare me “fanatizëm” kanë vendosur të heshtin për një nga marrëveshjet më komplekse me palën greke, sikundër është edhe pakti i rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, për përcaktimin e kufirit detar.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb