TIRANE- Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i shoqëruar nga kandidatet e LSI-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, Erisa Xhixho, Floida Kërpaçi dhe Malvina Palushi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me banorët e Njësisë nr. 11 në kryeqytet.

Në fjalën e tij z. Vasili i ka vlerësuar zgjedhjet e 21 qershori si shumë të rëndësishme pasi sipas tij qytetarët shqiptarë me votën e tyre do t’i japin një mbështetje të jashtëzakonshme ndarjes së re administrativo-territoriale të vendit.

“Zgjedhjet e 21 qershorit janë shumë të rëndësishme sepse do të formësojnë një pushtet të ri vendor. Në këto zgjedhje kemi mundësi të reja për t’i dhënë përgjigje shumë problemeve të vjetra. Ndarja e vjetër territoriale e bënte të pamundur për të bërë gjëra të rëndësishme. Prandaj këto zgjedhje duhet t’i vlerësojmë si asnjëherë tjetër më parë. Ne duhet ta mbështesim fort me votën tonë këtë organizim të ri administrativo-territorial sepse do të krijojë bashkë të rëndësishme të modelit evropian, bashki të cilat ne do t’i bëjmë për herë të parë”, – tha Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Duke vlerësuar kandidatet gra dhe vajza të Lëvizjes Socialiste për Integrim për Këshillin Bashkiak të Tiranës, z. Vasili tha se ato do të mbrojnë me një zë të fuqishëm interesat e qytetarëve të Tiranës.

Nga ana e saj kryesuesja e listës së kandidatëve të LSI-së për Këshillin Bashkiak të Tiranës, znj. Erisa Xhixho, u shpreh se punësimi i grave dhe vajzave është një prioritet i LSI-së. Sipas saj anëtarët e LSI-së në këshillin Bashkiak të Tiranës do të kenë një komunikim të vazhdueshëm me qytetarët.

“Lëvizja Socialiste për Integrim vjen në këto zgjedhje me një program shumë konkret për gratë dhe vajzat e kryeqytetit. Ne kemi një plan për mbështetje financiare me grante apo kredi të buta për të gjitha ato gra dhe vajza që duan të hapin një biznes. Nga ana tjetër ne mendojmë që së bashku do të formojmë forumet me komunitetin. Pra, që ky takim i yni këtu sot të mos jetë një takim i fundit por i pari i komunikimit dhe punës sonë të përbashkët. Unë nuk do të mund të bëj asgjë në Këshillin Bashkiak pa ndihmën tuaj. Ju do të jeni ato që do të më këshilloni për shqetësimet e Njësisë nr. 11. Ju e dini më mirë se askush tjetër se ku duhet të shkojnë investimet për më shumë shkolla, më shumë kopshte dhe investime të tjera për zonën tuaj. Unë e di shumë mirë problemin e ujit të pijshëm që ju keni dhe ne do ta zgjidhim përfundimisht këtë problem”,- tha znj. Xhixho.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: