Covid-19 është futur sërish brenda ambienteve të burgut të Beratit. Dy punonjës të Zyrës së Informacionit kanë rezultuar sot “pozitiv” me koronavirus.

Dy punonjësit e së njëjtës zyrë kishin disa ditë me shenja dalluese të infektimit dhe pas kryerjes së tamponit, ata ishin karantinuar deri në pritjen e përgjigjeve. Burimet zyrtare pranë DSHP-së Berat bëjnë me dije se përgjigjet e dy punonjësve të burgut kanë mbërritur “pozitiv” mëngjesin e sotëm pranë këtij institucioni.

Menjëherë pas konfirmimit të këtyre dy rasteve pozitive, mjekët epidemiologë janë duke kryer gjurmimin e rasteve të tyre të kontaktit brenda ambienteve të IEPV-së Berat.

Punonjësit e tjerë të Zyrës së Informacionit janë karantinuar dhe i janë nënshtruar tamponit, ndërkohë që tamponimit do t’i nënshtrohet në ditët në vijim i gjithë stafi i burgut, duke përfshirë jo vetëm administratën por edhe gardianët.

Mëngjesin e sotëm Drejtoria e Higjienës ka kryer dezinfektimin e ambienteve të brendshme të IEPV Berat dhe mbylljen e disa sektorëve brenda burgut. Në të gjithë qarkun e Beratit, ku rastet me COVID kanë njohur rritje gjatë muajit tetor, janë aktualisht 238 raste aktive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: