TIRANE – Shkon në 12 numri i kopshteve të rikonstruktuara në pak muaj në Tiranë, që ofrojnë kushte dhe standarde më të mira për fëmijët. Bashkia e Tiranës, falë ndihmës së donatorëve, ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit Nr. 52 në Njësinë Administrative Nr. 5 në Tiranë. Punimet e realizuara në këtë kopsht u inspektuan nga afër nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se veç cilësisë, këtij kopshti i është rritur edhe kapaciteti i fëmijëve që mund ta frekuentojnë.

“Ky kopësht ndodhet në njësinë më të populluar të Tiranës dhe duhet të kuptojmë se sa më e madhe është njësia, aq më e madhe është nevoja për hapësira të tilla. Më vjen mirë që jo vetëm këtij kopshti i kemi shtuar kapacitetin, jo vetëm kemi modernizuar ambientin e kuzhinës, atelieve, këndin e lojërave, të ngjashëm me këndet që po ndërtojmë pranë çdo kopshti, por mbi të gjitha kemi përmirësuar shërbimin për fëmijët”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Ai theksoi se Bashkia është e vendosur që të mbajë premtimin se kur të nisë sezoni i ri shkollor dhe fëmijët të jenë kthyer nga pushimet, t’i gjejnë të gjitha kopshtet e kryeqytetit të rikonstruktuara dhe me ambiente të reja, që ofrojnë shërbim më të mirë dhe më të sigurt. “Ky është kopshti i 12-të, nga 23 kopshte që po rikonstruktohen totalisht kësaj vere dhe më vjen mirë që jemi më shumë se në gjysmën e rrugës. Besoj se deri në fund të pushimeve, do të kemi mbaruar edhe me 11 kopshtet e tjera”, u shpreh Veliaj.

Ai siguroi prindërit që për arsye të ndryshme do u duhet të punojnë edhe gjatë muajit gusht, se kopshtet e Tiranës do jenë të hapura për të pritur fëmijët edhe gjatë kësaj periudhe. “Pavarësisht se tradita thotë se kopshtet mbyllen gjatë muajit gusht, ne do t’i mbajmë hapur, në mënyrë që prindërit që i janë kthyer punës në gusht të kenë ku t’i çojnë fëmijët”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se falë ndërhyrjeve në investime të bashkisë dhe përkushtimit të trupës së edukatorëve është rritur dhe kërkesa e prindërve për të çuar fëmijët e tyre në kopshtet publike. “Kemi pasur një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash dhe aplikimesh për kopshtet e çerdhet tona, por ndonjëherë bashkë me suksesin vjen edhe problematika se sot kemi 11 aplikime për një vend. Ky është lajm i mirë sepse do të thotë që publiku ka fituar besimin tek institucionet që menaxhohen nga bashkia”, tha kryetari Veliaj. Por, sipas tij, kjo është edhe një përgjegjësi më e madhe për Bashkinë që të sigurojë më shumë mundësi për fëmijët.

“Nga ana tjetër, kjo është një sfidë, pasi na duhet të rrisim ndjeshëm kapacitetet, ndaj kemi marrë edhe një vendim, që të gjitha lejet për ndërtim që do të jepen në qytetin e Tiranës gjatë këtij mandati do të shoqërohen edhe me infrastrukturë sociale, pra kopshte, çerdhe, shkolla sepse nuk mund të vazhdojmë më, ku i gjithë ndërtimi zaptohet vetëm nga ndërtesat tregtare dhe shumë pak për përdorim të qytetarëve, sidomos për kopshtet e çerdhet”, tha ai.

Në kopshtin “Mickey Mouse” janë bërë një sërë ndërhyrjesh të brendshme dhe të jatshme, duke filluar nga riparimi i dritareve, dyerve, zëvendësimi i xhamave, etj. Gjithashtu, janë bërë ndërhyrje për korrigjimin e këndeve të suvatimit, punime hidraulike dhe në ndriçim. Sa i përket punimeve të jashtme, është ndërhyrë në fasadë, është montuar sistemi tubave të shkarkimit, duke i dhënë zgjidhje problemit të ruajtjes nga lagështira. Po ashtu, janë krijuar puseta për mbledhjen e ujërave sipërfaqësorë të të gjithë sheshit, duke zgjidhur kështu një nga problemet më të mëdha në kopshtin nr. 52.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: