Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës të zbulojë personat që qëndrojnë pas emrave “Nesti Angoni” dhe “Nasta Pëllumbi”, të cilët sipas tij kanë falsifikuar dokumente për të nisur një procedim penal ndaj tij në SPAK.
Në kallëzimin penal për “falsifikim dokumentesh”, të depozituar më 16 prill 2026 dhe të firmosur nga qelia në Durrës, Veliaj pretendon se këta persona nuk ekzistojnë në regjistrat e Gjendjes Civile dhe se përdorimi i identiteteve të rreme ka çuar në regjistrimin e një procedimi penal në kundërshtim me ligjin.
Ai thekson se nuk bëhet fjalë për kallëzime anonime në kuptimin klasik, por për krijimin e kallëzuesve të rremë, të paraqitur me emra dhe nënshkrime të falsifikuara, me qëllim rritjen artificiale të besueshmërisë përpara organit të akuzës.
View this post on Instagram
Sipas Veliajt, ky veprim përbën jo vetëm falsifikim dokumentesh, por edhe ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin e nisjes së hetimeve penale, pasi mbi bazën e këtyre materialeve janë ndërmarrë veprime me pasoja konkrete juridike.
“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bazë të dokumentit “Të dhëna për SPAK”, ka filluar verifikimet dhe më pas ka regjistruar kundër personit tim, në datën 08.02.2024, procedimin penal nr. 27. Si bazë për fillimin e procedimit penal ndaj meje ka shërbyer dokumenti “Të dhëna për SPAK”, i hartuar dhe i nënshkruar nga një person i vetëidentifikuar si “Nesti Angoni”.
Nga verifikimet e kryera nga vetë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rezulton se ky person nuk ekziston në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe për rrjedhojë kemi të bëjmë me një identitet të rremë. Në këtë kontekst, është thelbësore të theksohet se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me një kallëzim anonim në kuptimin klasik të ligjit, por me një dokument të paraqitur në formën e një kallëzimi të identifikuar, përmes përdorimit të një identiteti të rremë konkret, të shoqëruar me nënshkrim fizik. Ky element e diferencon rrënjësisht këtë rast nga një komunikim anonim, pasi kemi një simulim të vetë identitetit të kallëzuesit, me qëllim krijimin e një besueshmërie të rreme përpara organit procedues.
Në këtë mënyrë, dokumenti “Të dhëna për SPAK” përmban elementë të paraqitjes së rreme të identitetit dhe rrethanave, të përdorura në mënyrë të qëllimshme për të krijuar një bazë artificiale për inicimin e një procedimi penal. Personi që ka hartuar dhe nënshkruar këtë dokument ka paraqitur rrethana të pavërteta, duke firmosur në emër të një personi që nuk ekziston.
Ky veprim nuk ka mbetur në nivelin e një komunikimi të thjeshtë, por ka prodhuar pasoja konkrete juridike, pasi mbi bazën e këtij dokumenti është regjistruar procedimi penal nr. 27/2024 dhe janë ndërmarrë veprime hetimore, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtat dhe interesat e kallëzuesit. Ky rast nuk përbën një thjesht pasaktësi dokumentare, por një ndërhyrje aktive në mekanizmin e nisjes së ndjekjes penale, duke përdorur një identitet të rremë për të krijuar një bazë të pavërtetë mbi të cilën është ndërtuar një procedim penal”, thuhet në kallëzim.
