Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, me anë të një statusi në “Facebook” ka reaguar për vetëvrasjet që janë shënuar tek Sanatoriumi.

Spahia shprehet se lidhjet familjare dhe politike po mbulojnë me heshtje kriminale përgjegjësinë e qeverisë në raport me këto ngjarje të rënda.

Ai shton se në spitalet tona nuk ka psikolog. Spahia nënvizon se ministrja Manastirliu, në vend që të bënte transparencë për qytetarët, u fsheh dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, për asnjë për rastet e rënda të ndodhura.

Më tej, Spahia përmend edhe emrat se kush janë përgjegjës për këtë situatë të rëndë dhe lidhjet familjare mes tyre, që bëjnë që askush mos të analizojë vetëvrasjet tek Sanatoriumi.

Postimi i ish-deputetit demokrat Bardh Spahia:

VETEVRASJET NE SANATORIUM, LIDHJET FAMILJARE DHE POLITIKE QE PO MBULOJNE ME HESHTJE KRIMINALE PERGJEGJESINE E QEVERISE

Me idenë se “çudia më e madhe në Shqipëri, 3 ditë zgjat”, qeveria heshti në mënyrë kriminale për ngjarjen e rëndë, të përsëritur në më pak se 3 javë në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Një pacient tjetër me Covid-19, në kushte të rënduara psikologjike, vrau veten, duke u hedhur nga katet e larta të spitalit 3 ditë më parë, e një i tretë u shpëtua pasi tentoi të njëjtin veprim, por qeveria po sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Të gjithë përgjegjësit për sigurinë e jetës së qytetarëve në spitale, heshtën. Studimet mbi COVID 19 kanë treguar, se sëmundja e rëndon gjendjen psikologjike të disa pacientëve, por qeveria jonë nuk mori asnjë masë për ta trajtuar këtë problematikë, kur u shënua vetëvrasja e pacientit të parë.

Askush nuk mori në analizë ngjarjen e parë të rëndë për të parandaluar të dytën dhe uroj të fundit. Por askush-ët kanë emër dhe mbiemër.

E para, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Në vend që të bënte transparencë për qytetarët, ajo u fsheh dhe nuk ka thënë asnjë fjalë, për asnjë për rastet e rënda të ndodhura.

E dyta, është Kryetarja e të ashtuquajturit Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, mjekja psikologe që trajton Edi Ramën. Ajo nuk e mblodhi asnjëherë Komitetin për të diskutuar masat që duhen marrë për të parandaluar vetëvrasjet apo për t’u shërbyer më mirë qytetarëve me probleme psikologjike në spitalet COVID.

I treti është bashkëshorti i Rakacollit, Drejtori i Spitalit “Shefqet Ndroqi”, Perlat Kapisyzi. Pas ngjarjes së parë të rëndë, ai nuk mori asnjë masë për të shtuar në ekip, 1 apo 2 psikologë për t’u kujdesur për shëndetin mendor të pacientëve me COVID.

Neglizhencë? Paaftësi? Militantizëm i verbër!? Cilado qoftë, është e sigurtë që po veprohet me militantizëm, jo me profesionalizëm.

(d.xh/ balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb