Vetting – Armand Kullau
Rreth 42% e popullsisë shqiptare ose 1.1 milionë shqiptarë janë në prag të varfërisë, duke u përballur me vështirësi të mëdha financiare për të mbijetuar.
Shifra alarmante e publikuar nga INSTAT e pozicionon Shqipërinë ndër vendet më të varfra të Europës.
Por rezultatet e Prokurorisë së Posaçme së bashku me raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulojnë se shqiptarët nuk janë të varfër, por të vjedhur nga një klasë politike e korruptuar.
Janë fondet për tenderat dhe koncesionet, ato që zbulojnë se si grupe apo individë të lidhur me zyrtarë të lartë të mazhorancës qeverisëse organizohen për të kapur këto fonde në dëm të interesit publik.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Open Data Albania, “Vetting” ka analizuar procedurat për 1000 tenderat me vlerën më të lartë për periudhën 2014-2023, ku rezulton se 65% e tyre ose 3,49 miliardë euro kanë indicie për korrupsion dhe mungesë gare.
Për të njëjtën periudhë, totali i dëmeve sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit është 8 miliardë e 224 milionë euro dëme nga keqmenaxhimi i fondeve dhe institucioneve publike. Pra, dëmi i bërë nga qeveria shqiptare është sa buxheti aktual i Shqipërisë për 2025 ose gati 60% e borxhit publik.
Sipas raportit “Zbërthimi i kapjes së shtetit në Shqipëri” nga Transparency International në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), politikanët kryesisht në qeveri, por edhe te bashkitë bashkëpunojnë me biznesin privat për të shfrytëzuar burimet e vendit, ndërkohë që një gjyqësor i korruptuar siguron pandëshkueshmëri dhe zgjat skemat fitimprurëse korruptive.
Në raportin e publikuar në vitin 2021 theksohet se dekada e fundit ka dëshmuar një forcim të bashkëpunimit midis politikës, biznesit dhe krimit të organizuar, që ka arritur kulmin e tij gjatë viteve të fundit.
Sipas njërit të autorëve të raportit Gjergji Vurmo, korrupsioni ka filluar të ndëshkohet falë SPAK-ut, por ka edhe probleme të tjera në rastin e Shqipërisë.
“Problemi kryesor është se Shqipëria prodhon shumë më shumë korrupsion se çmund të ndëshkojë vet si shtet, si institucione dhe kjo është tragjedia e madhe”, tha për “Vetting” Drejtori i Programit në IDM Gjergji.
Në fakt korrupsioni dhe metodat e tij për të kapur fondet publike janë zhvilluar, duke u përpjekur që të sigurohet mbrojtje nga ligji nëpërmjet një ligji tjetër, gjë e cila i bën të paprekshëm zyrtarët nga SPAK-u.
(BalkanWeb)