TIRANE- Skandal i paprecedentë në sistemin e drejtësisë. Admir Thanza, anëtar i Gjykatës së Lartë rezulton i dënuar në Itali me 40 ditë burg dhe gjobë për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për një vendim të vitit 1999 firmosur nga Gjykatës e Pizzës, kohë që Thanza ushtronte detyrën e gjykatësit në Shkodër. Rekordi kriminal i fshehur nga ish gardiani i Kushtetutës është zbuluar pak muaj me parë nga Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe i është përcjellë më pas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Fakti tronditës u bë publik të martën ku gjykatësi ishte ftuar në seancë dëgjimore publike. Mes lotësh Thanza tha se krimin e kreu kunata e tij e cila shoqëronte në spital djalin 9-vjeçar që vuante nga një sëmundje e rëndë. “Mos më paragjykoni. Shpëtova nipin duke sakrifikuar veten”, theksoi gjykatësi i karrierës.

Por ky nuk ishte i vetmi rekord që gjykatësi i lartë kishte fshehur. Ai nuk kishte deklaruar edhe faktin se ishte nën hetim penal nga Prokuroria e Përgjithshme pas dyshimeve për korrupsion.
Njeriu që u ngjit lart në karrierë, si gjykatës Kushtetues apo anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë hetohej për dyshimet se kishte marrë para nga motra e një personi në konflikt me ligjin. Burimet thanë se u filmua teksa kryente aktin korruptiv, por prokuroria e pushoi çështjen. Situata për gjykatësin e lartë u rëndua sërish kur Komisioni relatoi se ai ka kontakte me personazhe të krimit të organizuar ndërsa llogaritë për pasurinë i ka bërë tërësisht gabim. Edhe në shtyllën e aftësive profesionale Admir Thanza rezultonte me probleme. Në fund të seancës ish-gjykatësi kushtetues nuk kërkoi konfirmimin në detyrë por drejtësi. Vendimi për të pritet të shpallet më 17 korrik. Shanse që ai të kalojë me sukses testin e trefishtë të vettingut janë zero. Përpos kësaj ka gjasa që Admir Thanza të merret në ndjekje penale për falsifikim të formularëve të dekriminalizimit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: