Në javën ku Kukësi dhe Tirana u ndalën në përballjet respektive, Partizani e kthen në festë. Kampionët në fuqi kalojnë me “tripletë” golash një nga transfertat më delikate, atë kundër Laçit dhe tashmë i bëjnë presion nga pranë dy ekipeve kryesuese. Adolfo Sormani shijon fitoren e 3-të radhazi në Superligë, sigurisht më e rëndësishmja por sërish problemi mbetet i njëjtë. Me një sulm inekzistent, ai që bën edhe këtë herë diferencën është një mesfushor shkatërrues si Bruno Telushi por gjithashtu një lojtar me shumë klas dhe këtë e tregoi me dy perla nga goditja e dënimit.

Kjo ishte dhe një provë karakteri për kampionët në fuqi, një fitore me përmbysje që i jep dhe më shumë vlera këtij trepikëshi. Kryeqytetasit zbritën në fushë të karikuar duke vendosur menjëherë nën presion Laçit, madje kaluan në avantazh që në minutën e 13-të por gjyqtari i takimit anuloi gjithçka për prekje të topi me dorë nga Bardhi. Një minutë më vonë ishte radha e Solomon me sulmuesin që pak hapa larg portën nuk arrin të dërgoj topin në kudrat. Në momentin më të mirë të Partizanit, Laçi i ndëshkoi në minutën e 28-të me një zbritje të shpejtë, ku fillimisht Hoxha ndali Nabuezen por pa mundur të bëj të njëjtën gjë edhe me Xhixhën i cili e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Për të rikthyer të kuqtë në lojë mendoi i përhershmi Bruno Telushi. Mesfushori vlonjat ekzekutoi me mjeshtëri një goditje dënimi në minutën e 30-të, një top që kaloi përmes murit për të përfunduar në rrjetë.

Me Laçin të përgjumur, Partizani vë në jetë përmbysjen e madhe pas vetëm 3 minutash, këtë herë me Bitrin që në shtyllën e parë, me kokë dërgoi topin në rrjetë dhe kryeqytetasit në avantazh. Ritmi i lojës nuk bie as në fraksionin e dytë, sërish Partizani e nis në sulm por Bitri humbet kohë duke shpërdoruar një rast të pastër në minutën e 49-të. Laçi mori kontrollin e lojës për disa minuta duke iu afruar me Nabuezen portës së Alban Hoxhës në dy momente. E pabesueshme ajo që pret kapiteni në minutën e 50-të, një pritje që ka vlerën e një goli të sigurt.

Për të hipotekuar këtë fitore shumë të rëndësishme mendoi sërish Bruno Telushi, një skemë dhe një ekzekutim perfekt, një gol për katalog dhe një mesazh i qartë, kampionët janë aty, ende në garë për titullin kampion.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb