Armë në dorë, fytyrën e zbuluar dhe grabitësi hyn në “Chalet del Sole” në katër të mëngjesit, pak hapa nga Piazza Garibaldi  në Napoli, teksa pronarët dhe punonjësit ishin gati të mbyllnin dyqanin. Burri merr paratë e xhiros, pak më shumë se një mijë euro, dhe ikën. Dita kalon dhe lokali rihapet për të nisur sërish ditën e punës, por fytyra e grabitësit është gdhendur në mendjen e babait të pronarit.

Është mbrëmje, ora 22. Një djalë po ecën përgjatë Poerios dhe babai i pronarit të lokalit nuk ka asnjë dyshim: ai e njeh atë të ri dhe ai është grabitësi që i vodhi para 24 orëve dyqanin e të birit.

Kjo është skena e rrallë e një grabitje dhe e arrestimit të autorit të saj në Napoli të Italisë.

I moshuari e ndjek dhe ndërkohë thërret karabinierët duke iu treguar grabitësin e supozuar dhe karabinierët e ndalojnë atë. Ai është një 21-vjeçar me origjinë marokene, me histori të pastër dhe pa banesë fikse. Edhe punonjësi e njeh dhe më pas konfirmimi përfundimtar vjen nga analiza e pamjeve të video survejimit dhe nga fakti se grabitësi ka tatuazh dhe vathë.

“Të bësh biznes në një zonë si ajo pranë stacionit të Napolit është shumë e vështirë, por në nuk dorëzohemi”, thotë Alessandro Di Matteo, pronari i “Chalet del Sole”.

“Ne denoncuam gjithçka dhe zbuluam gjithashtu se ishte në Itali në qershor. As një muaj dhe ky djalë tashmë ka marrë një rrugë të keqe”, shtoi ai.

“Chalet del Sole” është një biznes familjar që i është dashur të durojë goditjet e orta që i kanë imponuar dy vjetët e pandemisë, por që ka qëndruar dhe tashmë po përjeton fazën e rikuperimit. Ambjenti i ri i lokalit është inauguruar pak ditë më parë, më 12 korrik, jo shumë larg atij të vjetrit.

“Shumë emigrantë dhe pak ndjenjë sigurie. Jemi të shokuar nga ajo që po ndodh në këtë zonë. Në sektorin tonë realisht punojmë katër muaj në vit, fitimet duhet t’i shpërndajmë në tetë muajt e tjerë. Pastaj mbërrijnë edhe grabitësit”, thotë pronari i lokalit, pasi nuk është hera e parë që ai përballet me diçka të tillë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb