DELVINË- Megjithëse kanë kaluar orë nga grabitja në Delvinë, kambisti 77-vjeçar Muslim Osmani ende dridhet i tëri. Minuta tmerri kaloi bashkë me vajzën e tij, në shtëpinë, ndërsa do dilte si çdo ditë për në punë.

Në një rrëfim për gazetaren Shpresa Dine, Osmani tregon si ndodhi ngjarja dhe se si humbi ndjenjat disa minuta për shkak të dhunës së grabitësve. Ai thotë se ka arritur të shohë disi fytyrën e një prej grabitësve.

Zoti Muslim, si ndodhi ngjarja, ku ishit ju?
Në mëngjes u ngrita, bëra për të dalë jashtë për të parë kohën. Qe ora 7 pa 20. Në këtë moment kur hapa portën, ata mu vërsulën të dy. Më mbërthyen, më morën, më kapi njëri dorën, njeri këmbën dhe më lidhën duart dhe më shtrënguan. Në këtë moment erdhi edhe vajza nga dhoma tjetër ku po flinte. Edhe atë e zunë, e lidhën e bënë, vetëm se shpëtova mirë se do kisha vdekur.

Më zunë frymën, unë rashë dhe ata thanë mbaroi ky. Më mbajti 10 minuta, e më erdhi prapë lëvizja. U ngrita, më lidhën pastaj. Iu hodhën vajzës. I thanë do na japësh paratë. Vajza u ngrit e mori paratë dhe ua dha. Pastaj na lidhën në kolltukë me çarçafët që i prenë. 20 minuta pastaj duke hequr ato që na kishin lidhur dhe dolëm jashtë. Edhe telefonat na i kishin marrë, na i prishën.

Ju i hoqët maskën njërit prej hajdutëve?
Nuk ia hoqa dot. Kur më qëlloi, që më hodhi në shesh, ja vura dorën këtu (në mjekër) i doli fytyra, qe pak i rrumbullakët. Nuk e hapi fytyrën, nuk e njoha. Nuk nxorën armë, por më hodhën. Më kanë marrë 22 milion plus 3 mijë euro. Ato lekë që i kisha hequr nga banka e Delvinës për t’i çuar në Sarandë.

Dyshon tek ndonjëri?
Nuk besoj se janë nga Delvina. Do jenë o nga Saranda o nga Vlora.

Zërin ua dëgjove?
Jo, nuk flisnin fare. Asnjë llaf. Policia erdhi pas një ore, nga ora 8 pa ca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb