Interi ka fituar 3-1 në një transfertë delikate si ajo e Gjenovës, ku në “Marassi” është përballur me Sampdorian vendëse. Ka qenë një ndeshje që u nis mjaft mirë për zikaltërit, por që u komplikua po nga ata vetë. Aleksis Sançez e niste për herë të parë si titullar dhe ishte ai heroi dhe antiheroi i mbrëmjes së skuadrës milaneze.

Në minutën e 20-të shtatshkurtri Sensi do të kalojë në epërsi ekipin e Antonio Kontes, ndërsa 120 sekonda më pas është radha e kilianit Sançez të dyfishojë rezultatin. Por anësori do të bëhet protagonist për keq në fund të pjesës së parë, kur merr dy të verdha të evitueshme dhe lë të tijtë me 10 lojtarë deri në fund të takimit, por ç’është më e rëndësishme, humbet kryesfidës e javës së ardhshme kundër Juventusit.

Në pjesën e dytë Sampdoria e nis shumë më mirë dhe vë nën presion të vazhdueshëm Interin, madje do të shkurtojë diferencat në të 55-ën me anë të Janktos. Gjenovezët besojnë se mund ta arrijnë rivalin dhe shtyhen përpara. Por Interi i godet në momentin e tyre më të mirë, kur Galjardini realizon golin e rezultatit 3-1 dhe që mbylli hesapet në këtë sfidë.

Interi rikthehet kështu në vendin e parë me 18 pikë pas 6 javësh, duke pasur pikë të plota dhe ndiqet nga Juventusi në vendin e dytë, që ka 16 pikë. Dy skuadrat do të përballen mes tyre të dielën e ardhshme më 6 tetor në “San Siro”.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb