Një 32-vjeçare është nxjerrë e gjallë nga rrënojat, 36 orë pasi mbeti e bllokuar pas një tërmeti me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë. Daniela Largo u gjet nën rrënojat e një ndërtese në qytetin e Pereiras, pas një operacioni shpëtimi që zgjati rreth 10 orë. Ekipet e emergjencës arritën tek ajo përmes një tuneli të gërmuar nën katër pllaka të rënda betoni që kishin bllokuar kalimin.

Sipas familjarëve, një banore e zonës dëgjoi zërin e Danielës duke kërkuar ndihmë nga rrënojat. Pas mbërritjes së ekipeve të shpëtimit, një kamerë e vogël u përdor për të lokalizuar gruan. Për shkak të strukturave të rënda prej betoni, zjarrfikësit u detyruan të hapnin dy tunele për të arritur tek ajo. Përmes një hapjeje të krijuar nga lart, ekipet arritën t’i siguronin oksigjen, ndërsa çlirimi përfundimtar u bë përmes tunelit të dytë, të hapur nga poshtë.

Momenti kur Largo u nxor nga rrënojat u prit me duartrokitje dhe emocione nga ekipet e shpëtimit dhe personat që ndodheshin pranë vendngjarjes. Nëna e 32-vjeçares tha se familja e saj po e priste me ankth kthimin në shtëpi, ndërsa ekipet vijojnë kërkimet për persona të tjerë që mund të kenë mbetur të bllokuar. Autoritetet lokale kanë marrë masa shtesë sigurie në zonat më të prekura, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë. Zyrtarët kanë deklaruar se ende ekziston shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: