TIRANË- Nga Londra në Rusi, pastaj sërish në Tiranë. Udhëtime pa fund, jetë luksi e angazhime që e kanë kthyer në një nga personazhet më të klikuar në rrjetet sociale. Po flasim për ish-futbollistin e Kombëtares shqiptare, Fatmir Hysenbelliun, që tashmë duket se është fokusuar tërësisht tek bota e biznesit, duke ecur kështu në gjurmët e të atit, biznesmenit të suksesshëm, Irfan Hysenbelliu.
“Kam lindur në një familje biznesmenësh, që të jesh i tillë mëson shumë nga familja. Unë e kuptova që e kisha në gjak. Më pëlqen të merrem me biznes, jam nga ata tipa që nuk mund të bëj gjëra që s’më pëlqejnë”,- tha ai në studion e emisionit “Rudina”.
Sa për marrëdhënien me të atin biznesmen, Fatmiri shprehet se s’mund të kishte shok më të mirë në jetë. “Jemi si shokë, më besoni. Unë vërtet e kam të tillë marrëdhënien me tim at, sa ndonjëherë me bën të mendoj nëse vërtet është babai apo shoku im”,- thotë ai.
Në një rrëfim të veçantë, 25-vjeçari tregon të gjitha pasionet e tij, që nga makinat e edicioneve të limituara, koleksionin e orave të shtrenjta, futbollin e së fundmi biznesin, gjëra për të cilat u pikas pak kohë më parë edhe nga gazetari i famshëm italian, Enrico Lucci. “Nuk e kam problem të tregoj jetën që bëj, kur gjithçka kemi arritur, e kemi me mund. Jam i mendimit që kur ta mban xhepi, pse jo mund edhe të shpenzosh”,- thotë ai me sinqeritet.
Ai foli ndër të tjera edhe për shkëputjen nga futbolli profesionist. “Unë akoma luaj, futbolli mbetet pasion. Erdha në Shqipëri për një periudhë të shkurtër, mbarova universitetin dhe me pas fokusova tek biznesi, kështu gradualisht mu desh të shkëputem nga futbolli profesionist. Jam i mendimit: Ose bëj diçka mirë ose mos e bëj hiç, dhe dua të shtoj se cikli i futbollit për mua mbaroi me kaq”,- shtoi ai.
Por përveç udhëtimeve, biznesit, sportit dhe stërvitjes, Fatmiri, apo Oni siç e njohin shumica e të rinjve merret edhe me bamirësi. “Nuk jam nga ata tipa që i postoj në rrjetet sociale me foto gjithë të mirat që bëj”,- tha ai me modesti.
E përveç këtyre, Oni foli për herë të parë për një aksident në të cilin ishte përfshirë dhe dha një mesazh për të gjithë të rinjtë.
“Më ndodhi një aksident kur erdha nga Italia sapo kisha firmosur me Tiranën. Isha pak me shpejtësi, por një makinë tjetër hyri me të kuqe, për ta shmangur u detyrova të përplasem me një pallat. Nuk është puna sa e sigurt është makina por, ti nuk e di ç’të pret përpara, prandaj iu them gjithë të rinjve të tregohen sa më të kujdesshëm”.
(m.a/BalkanWeb)