Në një operacion të gjerë policor të zhvilluar në qarkun e Durrës, strukturat e rendit kanë finalizuar aksionin e koduar “Cleaning 5”, që ka çuar në goditjen e një rrjeti të dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike pranë shkollave dhe zonave të frekuentuara nga të rinjtë. Operacioni u zhvillua pas disa muajsh hetime intensive, të ndjekura në kuadër të dy procedimeve penale, nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe në bashkëpunim me strukturat e policisë kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike të llojeve heroinë, kokainë dhe cannabis sativa, si dhe tre armë zjarri (dy pistoleta dhe një kallashnikov). Gjithashtu janë gjetur shuma të mëdha parash, automjete dhe celularë të ndryshëm. Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar masat e sigurisë për 17 shtetas: 13 prej tyre janë arrestuar me masën “arrest në burg”, ndërsa 4 të tjera ndodhen në “arrest shtëpie”. Po ashtu, një person është shpallur në kërkim.
Të dyshuarit, banues në Shijak, Manzë, Kavajë dhe zona të tjera përreth, akuzohen se në bashkëpunim kanë siguruar dhe shpërndarë lëndë narkotike, kryesisht në afërsi të institucioneve arsimore dhe ambienteve ku grumbullohen të rinjtë. Në operacion morën pjesë specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, forcat Operacionale dhe “Shqiponja”, si dhe efektivë nga komisariatet e zonës. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.
NJOFTIMI
Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Cleaning 5”, si rezultat i 2 procedimeve penale të ndjekura për disa muaj. Objektivi i operacionit, identifikimi dhe arrestimi i shtetasve që tentonin të shpërndanin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë.
Gjatë operacionit, sekuestrohen sasi të konsiderueshme të lëndëve narkotike Heroinë, Kokainë dhe Cannabis Sativa, 3 armë zjarri (2 pistoleta dhe 1 kallashnikov), shuma të konsiderueshme parash, automjete dhe celularë. Ekzekutohen masat e sigurisë për 17 shtetas (për 13, masa “Arrest në burg”; për 4, masa “Arrest në shtëpi”). Shpallet në kërkim 1 shtetas. Shtetasit akuzohen se në bashkëpunim, kanë siguruar lëndë narkotike, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë.
Në vijim të punës intensive hetimore dhe operative, të kryer nga strukturat e Policisë së Durrësit, me prioritet identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që kryejnë veprimtari kriminale në afërsi të institucioneve arsimore dhe/ose të ambienteve të tjera që frekuentohen nga rinjtë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe me shëbimet e Stacionit të Policisë Manzë dhe të Komisariatit të Policisë Shijak, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, operacionin e koduar “Cleaning 5”.
Si rezultat i 2 procedimeve penale u kryen hetime disamujore, në vijim të të cilave u ekzekutuan masat e sigurisë për 17 shtetas, konkretisht, për 13 shtetas u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 shtetase u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, ndërsa 1 shtetas u shpall në kërkim. Këta shtetas, banues në Durrës, Kavajë, Shijak, dhe në fshatra të njësive administrative Sukth, Manzë dhe Xhafzotaj, akuzohen për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe/ose më shumë se një herë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim, siguronin lëndë narkotike dhe e shitnin kryesisht në afërsi të shkollave në Shijak dhe në Manzë, si dhe në ambiente të tjera që frekuentohen nga të rinjtë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
