TIRANË

Policia e Tiranës finalizon operacionin e koduar “Yrsheku” duke arrestuar një prej autorëve të sulmit me armë drejt një kompleksi në Yrshek, ngjarje e ndodhur më 15 qershor.

Sipas të dhënave zyrtare, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në datën 15.06.2020, në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, në fshatin Yrshek, ku u qëllua me armë në drejtim të një kompleksi, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve intensive u siguruan informacione në rrugë operative se armët e përdorura dhe motomjeti me të cilin ishin larguar autorët ndodheshin në banesën e shtetasit Gëzim Haroku.

Po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohet se bashkautor në këtë ngjarje është edhe shtetasi Erigers Mihasi.

Gjithashtu, po në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dyshohej se banesa e shtetasit Gëzim Haroku mund të përdorej si bazë për të fshehur armët dhe municionet luftarake të grupit kriminal.

Bazuar në këto informacione, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, të mbështetura nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, organizuan dhe finalizuan operacioni “Yrsheku”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi Gëzim Haroku dhe u shpall në kërkim shtetasi Erigers Mihasi.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Gëzim Haroku, shërbimet e Policisë zbuluan një arsenal armesh dhe municionesh që përdoreshin nga një grup i strukturuar kriminal, pjesë e të cilit ishte edhe shtetasi Gëzim Haroku.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15 armë zjarri (1 mitraloz i lehtë, 7 kallashnikovë, 3 pistoleta, 2 armë automatike MP7, 1 pushkë me dylbi dhe 1 armë gjahu), 10 granata dore, 10 detonatorë, 10 kallëpe me tritol dhe fitil zjarrpërcjellës, një sasi fishekësh, një automjet dhe dy motorë sportivë.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të këtij grupi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb