Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pas publikimit të dosjes së SPAK-ut, për vilën e dytë që iu sekuestrua ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në një video në rrjetet sociale, Shehaj përmend detajet e dosjes që tregojnë se vila e Ballukut është e ndërtuar me një stil luksoz, me pishina që shohin direkt në det, me vaska hiromasazhi si në hotelet më të mira të Santorinit, apo dhe ambiente të jashtme të veshura me dru natyral, që të bëjnë të ndihesh si në jaht.

Këto detaje janë zbuluar nga hetuesit nga komunikimet e Belinda Ballukut dhe arkitektit të saj.

Sipas Shehajt, fakti më i rëndësishëm është se kjo vilë, të cilën Balluku nuk e ka deklaruar, “është ndërtuar dhe mobiluar me paratë e qytetarëve shqiptarë”.

“Ajo që është më e rëndësishme është që sipas SPAK-ut ajo nuk është ndërtuar dhe nuk është mobiluar me paratë e Belinda Ballukut por me paratë e përfituesve të tenderave të Belinda Ballukut. Me pak fjalë, me paratë e qytetarëve shqiptarë. Para që duhet të shkonin në shëndetësi, në arsim, kanë shkuar për të ndërtuar “infinity pool”, për ta bërë Belindën të ndihet e llastuar si në hotel”, shprehet Shehaj.

Kreu i Mundësia thekson se personat me pushtet që janë në qeveri janë pasuruar duke abuzuar me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

“Kjo nuk na çudit në fakt sepse ne e dimë shumë mirë që këta kanë të gjithë vila, që këta janë bërë milionerë duke vjedhur popullin më të varfër në Europë”, shprehet Shehaj duke nënvizuar se ajo që ka ndryshuar tashmë, është se në Shqipëri nuk ka më të paprekshëm.

“Të gjithëve po iu vjen fundi, po dalin përpara drejtësisë”, thotë Shehaj.
Sipas Shehajt, “tani radhën e ka Edi Rama”.

Kreu i Mundësia nënvizon se SPAK tani duhet të shkojë drejt hetimit të pasurisë së kryeministrit Edi Rama.

“Tani është radha e vilave dhe pasurisë së Edi Ramës”.
SPAK e ka akuzuar Belinda Ballukun për abuzim me tenderat, për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Deklarata e plotë e Shehajt:

Doni të dëgjoni perlat që dalin nga email-et e Belinda Ballukut, të kapura nga SPAK-u?
Në vilën e saj në Palasë, ndihesh i llastuar si në hotel

Ka një pishinë “infinity pool” ku shikon direkt në det

Ka dy vaska hidromasazhi si në një nga hotelet më të mira në Santorini

Por sidomos ambientet e jashtme janë të veshura me “teak”, një dru natyral që Belinda Balluku të ndihet si në jaht

Kjo del nga email-et e Belinda Ballukut dhe të arkitektit të saj

Por ajo që është më e rëndësishme është që sipas SPAK-ut ajo nuk është ndërtuar dhe nuk është mobiluar me paratë e Belinda Ballukut por me paratë e përfituesve të tenderave të Belinda Ballukut

Me pak fjalë, me paratë e qytetarëve shqiptarë

Para që duhet të shkonin në shëndetësi, në arsim, kanë shkuar për të ndërtuar “infinity pool”, për ta bërë Belindën të ndihet e llastuar si në hotel

Kjo nuk na çudit në fakt sepse ne e dimë shumë mirë që këta kanë të gjithë vila, që këta janë bërë milionerë duke vjedhur popullin më të varfër në Europë

Por ajo që ka ndryshuar është që nuk ka më të paprekshëm

Të gjithëve po iu vjen fundi, po dalin përpara drejtësisë

Dhe tani radhën e ka Edi Rama

Tani është radha e vilave dhe pasurisë së Edi Ramës

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: