Nga Mira Bregu, OKB, Gjenevë

Sot në mesditë në New-York, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjatë deklaratës së tij për shtypin shprehu indinjatën e tij për përshkallezimin e konflikteve duke bërë thirrje “Ndaloni përshkallëzimin. Rinisni dialogun !

Në deklaratën e tij, ai  theksoi se Viti i ri ka nisur me trazira për botën.

” Viti i Ri ka filluar në botën tonë me trazira.  Ne po jetojmë në kohë të rrezikshme.  Tensionet gjeopolitike në këtë shekull janë në nivelin e tyre më të lartë.  Dhe kjo trazirë po përshkallëzohet.  Madje  mos-përhapja nukleare nuk mund të merret më si e mirëqenë.  Kjo tufë tensionesh po bën  gjithnjë e më shumë që vendet të marrin vendime të paparashikuara me pasoja të paparashikueshme dhe me  një rrezik të thellë të keq-llogaritjes.  Në të njëjtën kohë, ne shohim tregti dhe konflikte teknologjike që thyejnë tregjet botërore, minojnë rritjen dhe zgjerojnë pabarazitë.  Dhe ndërkohë, planeti ynë është në zjarr.  Kriza e klimës acarohet. Në shumë vende të botës, ne shohim shumë njerëz të irrituar dhe të zemëruar.  Ne shohim trazira sociale në rritje dhe ekstremizëm, nacionalizëm dhe radikalizëm në rritje, me një përparim të rrezikshëm të terrorizmit, veçanërisht në Afrikë.

Kjo situatë nuk mund të vazhdojë.  Unë e kam ndjekur rritjen e tensioneve të fundit globale me shqetësim të madh.  Dhe  jam në kontakte të vazhdueshme me zyrtarë kryesorë në të gjithë botën.

Mesazhi im është i thjeshtë dhe i qartë :  Ndaloni përshkallëzimin.  Vetëpërmbahuni në maksimum. Ri-filloni dialogun.  Rinovoni bashkëpunimin ndërkombëtar.”

Në fund të deklaratës së tij, Sekretari i Përgjithshëm theksoi :  ‘ Le të mos harrojmë vuajtjet e tmerrshme njerëzore të shkaktuara nga lufta.  Si gjithmonë, njerëzit e zakonshëm paguajnë çmimin më të lartë. Është  detyra jonë e përbashkët  ta shmangim atë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb