Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj, nëpërmjet një shkrimi në rrjete sociale, ka vendosur në pah, problematikat që sipas saj mbart ky vit i ri shkollor.

Ajo e nis serinë e problemeve me mësimin online të studentëve e përfundon te tekstet e përkthyera keq dhe me rreth 10 mijë nxënës më pak që shkuan sot në bankat e shkollës.

Postimi i Kejdi Mehmetajt:

Nisi sot një vit i pazakontë shkollor, një vit konfuz, pa plan, pa strategji, pa buxhet.

Ndërsa kanë rreth një muaj që fëmijët shkojnë në shkolla, kot, për të luajtur në oborr, ditën zyrtare të fillimit të vitit akademik po e nisin sot me shumë dilema; ata, prindërit dhe mësuesit.
Pas dy vitesh që nuk zhvillohet mësim normal në asnjë cep të vendit, duke krijuar boshllëqe madhore në dijet që marrin nxënësit edhe ky vit sërish do të zhvillohet me skenarë të provuar si të dështuar. Ndërkohë që Tirana e Shqipëria gëlojnë nga koncerte e festivale me mijëra pjesëmarrës ngjitur me njëri-tjetrin, nxënësit e studentët nuk do lejohen të zhvillojnë mësim të plotë në klasa e auditore. Pas 2 vitesh, kush e justifikon paaftësinë e qeverisë për të gjetur zgjidhjet më të mira për mësuesit e nxënësit?
E përtej pandemisë, ky vit shkollor nisi me buxhetin më të ulët për arsimin, nisi me 10 mijë nxënës më pak që ulen në bankat e shkollës, nisi me pagat më të ulta në rajon për mësuesit, nisi me shkolla të mbyllura e mësues të mbetur pa punë, nisi me kurrikula të provuara si problematike e tekste të përkthyer keq e pa vlerë.

Ky vit shkollor si edhe disa të tjerë përpara tij, nisi duke qartësuar edhe njëherë faktin se për Ramën dhe qeverinë e tij arsimi nuk ka qenë e nuk do jetë ndonjëherë prioritet, sepse në fundë të fundit, një popull i paditur është një popull lehtësisht i nënshtrueshëm.
Ky vit shkollor nisi edhe më i rëndë për xhepat e familjeve shqiptare, që përveçse shqetësohen për cilësinë e sistemit arsimor, marrin borxhe për të dërguar fëmijët e tyre në shkollë.
Prindërit e nisin ditën e parë të shkollës me së paku 14000 lek shpenzime, pa përfshirë tekstet që variojnë nga 2600 deri në 6500 lek në varësi të klasës dhe pa përfshirë shpenzimet për veshmbathje e transport. Shpenzime këto të përllogaritura për vetëm një fëmijë. Pra, në raste të familjeve me dy fëmijë ose më shumë, rroga mujore e një prindi nuk mjafton për të mbuluar kërkesat për ditën e parë të shkollës, pa përmendur këtu që shpenzimet vazhdojnë për çdo muaj.

Thënë gjithë këto, me gjithë dëshirën e madhe për të uruar ditën e parë të shkollës, sot nuk duhet të festojmë, por reagojmë e bërtasim!
Sot filloi një vit tjetër që nuk do i ndihmojë fëmijët tanë me dije e nuk do i aftësojë për tu përballur me sfidat e së ardhmes, por do i përballë ata tani me vështirësi e pengesa që nuk i meritojnë!
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb