Grupi ekstremist “Ujqërit e natës”, i cili ka lidhje të forta me presidentin rus Vladimir Putin, ka paralajmëruar organizimin e një tubimi në Beograd në mbështetje për ardhjen e ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov.

Aleksander Zaldastanov, i njohur si udhëheqës i grupit, ka theksuar se të gjitha urat midis Federatës Ruse dhe qytetërimit perëndimor janë shembur.
“Kur u shërben këto ura, praktikisht nuk kemi asgjë të përbashkët”, theksoi ai për mediat e Kremlinit.

Kujtojmë se Zaldastanov më 22 shkurt, pasi Putini njohu pavarësinë e të ashtuquajturave Republika të Donetskut dhe Luganskut, e përshëndeti lëvizjen e tij derisa ky grup brohoriste “Donbas-Rusi, Kiev-Rusi, Kosovë-Serbi!”.

Ai u nderua me “Urdhrin e Ekselencës” nga presidenti rus nëntë vjet më parë.
Përfaqësuesit e këtij klubi motoçiklistësh, njoftojnë mediat ruse, kanë bërë homazhe për viktimat e bombardimeve të NATO-s, para Ambasadës serbe në Moskë në muajin mars.

Po ashtu, anëtarët e këtij grupi morën pjesë edhe në liturgjitë në Mal të Zi, në vitin 2020. Edhe para kësaj kanë qëndruar në manastirin e Ostrogut, ku i ka shoqëruar Emir Kusturica.

Në tetor 2014, motoristët vizituan Malin e Zi në një turne të quajtur “Ballkani rus”, dhe vizita e tyre u promovua në faqen e internetit të Ambasadës ruse në Podgoricë.

Gjatë turneut të quajtur “Bota Sllave 2016”, ata do të vizitonin Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Bullgarinë. Qëllimi, siç thoshin në atë kohë, është forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Rusisë dhe vendeve me origjinë sllave.

Kjo organizatë ekziston që nga viti 1980, kur u themelua si një klub i dashamirëve të motoçikletës dhe muzikës rock.

Ata kanë zhvilluar lidhje të forta me Putinin, i cili shpesh në media i përshkruajnë si “miq”. “Ujqërit e natës” janë pjesëmarrës të rregullt në marshimet nacionaliste, të financuara nga Kremlini dhe thellësisht të përfshirë në strukturën e Kishës Ortodokse Ruse.

Kur Putin erdhi në Beograd në vitin 2011 për një ndeshje mes Zenit dhe Yllit të Kuq, Goran Jovanovic – Fonza ishte ulur pranë tij në pjesën e personave VIP. Fonza është kryetar i degës serbe të këtij grupi ekstremist.

Këta janë të njohur për mbështetjen e tyre për serbët nga Kosova, por edhe për “punën e tyre humanitare” dhe mbështetjen për “Vëllezërit Ortodoks”.

Ish-presidenti serb Tomislav Nikolic ka pritur Zaldastanovic dhe ka marrë dhuratë prej tij një jelek të motoristëve me stemat e Serbisë dhe Rusisë. Ai është pritur edhe nga ish-patriarku Irinej. Ata janë fotografuar disa herë në prani të Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vulinit.

Besohet gjerësisht se anëtarët e këtij klubi motoçiklistësh synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në Ballkan, ku kanë lidhje të forta me politikanët pro-rusë në rajon.

Eksperti rus Mark Galeotti, profesor i çështjeve gjeopolitike në Universitetin e New Yorkut, thotë se “Ujqërit e natës” veprojnë si “përfaqësues dhe mjet i shtetit”.

Me fjalë të tjera, Kremlini i ka nxjerrë nga margjina për të përdorur pro-putinizmin e tyre, ortodoksinë dhe retorikën anti-amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb