Vizita e parë e kombëtares spanjolle në Shqipëri për një ndeshje futbolli ka qënë në 2 dhjetor të 1986-s. Në atë kohë Shqipëria lëngonte në një varfëri ekstreme të viteve të fundit të komunizmit, dhe pamjet që panë në Tiranë mbetën të shkruara në mendjet e spanjollëve.

Gazetari spanjoll Karlos Herrera në atë kohë kujton të ketë thënë një shprehje të paharrueshme: “Këtu nuk ka një njeri të plotë.” Pas një shëtitjeje në rrugët e Tiranës së asaj kohe, ai vështirë se kishte parë një njeri që mos ishte i dëmtuar fizikisht, pasi shumica ishin pa një gisht, ose pa një dorë apo këmbë.

Tjetër kujtim që i ka ngelur në mendje nga ajo ndeshje gazetarit spanjoll kanë qënë dy sulmuesit e kuqezinjve, Arben Minga dhe Agustin Kola, të cilët ishin shumë të rrezikshëm për prapavijën spanjolle.

Në një shkrim të së përditshmes prestigjoze “AS”, gazetari që ka udhëtuar bashkë me kombëtaren spanjolle drejt Shkodrës, shkruan se tregimet e gazetarit Herrera tashmë i takojnë të shkuarës pasi në Shqipëri ka ndryshuar çdo gjë dhe tashmë është një shtet mëse normal ku mund të gjesh çdo gjë që kërkon. /Panorama Sport/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb