Pak orë para vizitës së tij sot në Tiranë, sekretari i Jashtëm i Britanisë, Davis Cameron deklaroi se partneriteti me Shqipërinë po jep rezultat për dy popujt, si edhe në trajtimin e emigracionit të paligjshëm. Cameron tha për mediat britanike se mbërritja e anijeve me emigrantë të paligjshëm nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ra me 90% për vitin që lamë pas, duke iu referuar kështu marrëveshjes së arritur mes dy vendeve.
Mes të tjerash ai tha se fokusi ngelet te forcimi i partneritetin përmes lidhjeve tregtare, por edhe duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Partneriteti ynë me Shqipërinë po jep një rezultat si për njerëzit tanë, ashtu edhe për të luajtur një rol kyç në trajtimin e migracionit të paligjshëm. Mbërritjet e anijeve të vogla nga Shqipëria në Britaninë e Madhe ranë me mbi 90% në vitin 2023, që do të thotë se më pak shqiptarë po bien në duart e bandave kriminale dhe po bëjnë kalime të rrezikshme në Kanal.

“Së bashku ne po forcojmë partneritetin tonë, po forcojmë sigurinë evropiane, duke investuar në gjeneratën e ardhshme të të rinjve, duke ndërtuar lidhje tregtare dhe duke trajtuar korrupsionin dhe krimin e organizuar për të siguruar që ne të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme dhe të begatë për vendet tona.”, tha ai. Pas një rritjeje në vitin 2022 të numrit të shtetasve shqiptarë që mbërrinin në Britaninë e Madhe me varka të vogla, qeveritë e të dy vendeve arritën një marrëveshje për të punuar së bashku për të parandaluar njerëzit të bënin udhëtimin.

Kjo përfshinte vendosjen e stafit të Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar në aeroportin e Tiranës, shkëmbimin e oficerëve të lartë të policisë dhe krijimin e një grupi të përbashkët pune për migracionin.
Ka të ngjarë që kjo të ketë kontribuar në një rënie prej 93% të shqiptarëve që kalojnë Kanalin, nga 12,658 në 2022 në 922 nga 1 janari deri më 29 nëntor 2023. Sipas marrëveshjes së kthimit, Mbretëria e Bashkuar ka larguar 26,000 njerëz gjatë vitit të kaluar, duke përfshirë afro 6,000 shqiptarë, tha FCDO.

Në fillim të këtij muaji, Britania i dorëzoi Shqipërisë në vlerën e 1.6 milionë paund kamerave dhe dronëve në një përpjekje për të kapur bandat e trafikut të njerëzve përmes kanalit të Suezit. Por numri i emigrantëve që mbërrijnë në MB ka vazhduar të rritet pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frenuar kalimet. Shifrat e përkohshme të Zyrës së Brendshme tregojnë se 9,874 njerëz kanë mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2024 deri më sot pasi kanë bërë udhëtimin nga Franca – një rekord i ri për pesë muajt e parë të një viti kalendarik.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: