NGA ENIDA HIMAJ

TIRANE- Ky sezon ka qenë sa i ngjeshur, aq edhe produktiv për Drejtoreshën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Tashmë një tjetër sfidë e pret para, ajo e postit të nënkryetares së Këshillit Bashkiak, çfarë do të thotë më shumë përgjegjësi dhe vlerësim për të. Në këtë rrëfim të ngrohtë për “Summer Pages”, Vjollca tregon se si ia del të gjejë kohë për t’i përmbushur me sukses të gjitha obligimet që ka, por mbi të gjitha pa përzier punën me politikën. Posti i rëndësishëm, apo edhe roli në politikë, e kanë bindur se tashmë gjinia nuk është më justifikim. “Besoj se këtë shans ua japin vetë gratë, duke u justifikuar, ose meshkujve u mbarojnë argumentet në debat dhe kërkojnë më pas të futen në betejën e gjinive”, – shprehet Braho. Më tej tregon edhe planet për pushimet, ku për të natyra është e parefuzueshme. Dhe, ashtu siç mendohej, krahas detit dhe shoqërisë së mirë, nuk kishte se si të linte pas dore edhe punët e shumta, edhe pse me pushime. Ndaj kjo është një ndër arsyet që shpeshherë zgjedh të pushojë në Durrës.

Një vit i ngjeshur mes punës dhe politikës; sa impenjativ ka qenë për ju?
Ka qenë një vit shumë i rëndësishëm, si për punën, ashtu edhe për pjesëmarrjen politike. Për punën ka nisur implementimi i ligjit të ri të pensioneve, që është një sfidë e rëndësishme, pasi është një ligj që prek thuajse çdo familje shqiptare. Për politikën ishte një vit i rëndësishëm i rikonfirmimit jo vetëm i mbështetjes për PDIU-në, por edhe i forcës së grave brenda forcës sonë politike. Drejtimi i fushatës në Tiranë ishte për mua një sfidë dhe një përvojë e rëndësishme jo vetëm politike, por edhe njerëzore. Dhe falë një pune të jashtëzakonshme të shtabit elektoral, arritëm të dyfishojmë votat e PDIU-së në Tiranë. Ky rezultat na e rrit përgjegjësinë, ndaj dhe unë dëshiroj që përmes jush të falënderoj të gjithë ata që kontribuuan që sot PDIU-ja të ketë këtë rritje dhe tre këshilltarë në Këshillin e ri Bashkiak. Pjesëmarrja në këtë Këshill do të jetë një përvojë tjetër e re edhe për mua, por unë besoj se kontributi për qytetin ku jetoj do të jetë një sfidë e rëndësishme, pasi unë besoj se ndryshimet nisin nga përgjegjësia jonë për pjesëmarrje.

Shumë aktive edhe përgjatë fushatës; si ishte kjo fushatë në sytë tuaj?
Ishte një fushatë që, edhe pse të lodh, të jep shumë për të mësuar. Takimi me shumë persona, dëgjimi i tyre, të bëjnë të mendohesh gjatë edhe për gjëra që më parë nuk të kanë shqetësuar kurrë. Është një përvojë e rëndësishme!

A mund të themi se tanimë mund të “merrni frymë” lirisht nga angazhimet e shumta?
Fatmirësisht jam mësuar me ritmin e punës që kur kam nisur punën në rininë time. Besoj se çdokush mund të gjejë edhe kohën për punë, edhe kohën “për të marrë frymë”, nëse do të konsideronim me këtë atë pjesë të kohës që duhet të merremi me veten dhe miqtë.

Tashmë edhe si nënkryetare e zgjedhur e Këshillit Bashkiak të Tiranës, çfarë do të thotë kjo për ju?
Është një vlerësim dhe përgjegjësi për mua. Është vlerësim më së pari nga PDIU-ja që ka mbështetur kandidaturën time. Por njëkohësisht është edhe një vlerësim nga gjithë anëtarët e Këshillit, të cilët, më lejoni t’i falënderoj për zgjedhjen si nënkryetare e Këshillit. Kjo zgjedhje është njëkohësisht edhe përgjegjësi për mua, pasi tashmë nis puna konkrete për të bërë të mundur që qytetarët të prekin premtimet tona. Ne bekurajën që ka kreu i ri i bashkisë në arritjen e objektivave.

Mendoni se femrat në poste drejtuese janë më produktive se meshkujt?
Mund të them se janë produktive po aq sa edhe meshkujt. Nuk dua ta shoh si një garë. Nuk dua ta shoh as të ndarë në gjini. Të paktën, në punën time, nuk i kam ndarë gratë nga burrat. Dhe kam fatin t’i kem thuajse në mënyrë të barabartë drejtuesit e departamenteve, dhe mund të them se punojmë bashkërisht, pa bërë asnjë dallim gjinor.

Ka akoma nga ata që e paragjykojnë një femër në një post drejtues?
Besoj se ka, dhe jo vetëm në Shqipëri. Por besoj se, ose këtë shans ua japin vetë gratë, duke u justifikuar, ose meshkujve u mbarojnë argumentet në debat dhe kërkojnë më pas të futen në betejën e gjinive.

A është më e vështirë për një femër të bëjë karrierë në Shqipëri?
Çdo karrierë ka vështirësitë e veta. Ndonjëherë femrat mund ta kenë pasur më të vështirë, për shkak të ndonjë paragjykimi. Por unë besoj se çdo grua e ka vetë në dorë të vendosë prioritete se si do të kërkojë ta respektojnë atë në punën që bën.

Sa ju ka tjetërsuar puna që bëni, a jeni Vjollca edhe nën “kostumin” e drejtoreshës?
Mundohem që t’i ndaj marrëdhëniet në punë me marrëdhëniet jashtë pune. Mund të jemi miq në kafe apo drekë, por në punë, gjithkush që bashkëpunon me mua e ka kuptuar se nuk bëj dallime. Kjo i bën kolegët të mos ndihen të diferencuar dhe mos të më shohin me “kostumin e drejtoreshës”, por të njeriut që kërkon bashkëpunim.

Shpesh krijohet ideja se institucionet janë të lidhura ngushtë me politikën; a ka ndodhur kështu edhe me institucionin që ju drejtoni?
Kam pasur fatin të jem në krye të një institucioni që më shumë ka parë nga qytetarët. Nuk them se kemi arritur të bëjmë të gjitha ato që kemi menduar, por kam bindjen se jemi në rrugën e duhur që shërbimi ndaj qytetarëve vetëm të vijë në rritje. Për këtë, fatmirësisht jemi mirëkuptuar me ministrat që kanë pasur në varësi ISSH-në, të cilët kanë mbështetur këtë komunikim sa më larg gjuhës politike.

Sa e ndryshon politika një femër?
Pse, vetëm një femër e ndryshon politika?! Unë besoj se i ndryshon të gjithë, pasi i vë përpara përgjegjësive të cilat në jetën e tyre individuale më parë nuk i kanë menduar.

Keni mikesha nga politika shqiptare, kë do të veçonit?
Kam mjaft mikesha të mira, ndaj ndjesë që nuk do të veçoj asnjërën prej tyre.

A bëni kompromise, ka “misione të pamundura” për Vjollcën?
Ka misione që duan shumë mund. E pamundur është të nis të bëj një gjë jashtë natyrës sime.

Ju lëndojnë sulmet, qoftë edhe me ngjyrime politike, që ju adresohen?
Çdo person nuk ndihet mirë kur sulmohet, sidomos pa të drejtë. Por e rëndësishme është të dimë të lexojmë kritikat e drejta, të cilat na japin mundësinë të përmirësohemi.

Si ju gjen kjo verë, keni bërë plane për pushimet?
Pushimet janë gjëja e fundit për të cilën shqetësohem.

Si janë përgjithësisht pushimet tuaja; pëlqeni të jeni pranë natyrës me aktivitete sportive apo dëshironi relaks të plotë?
Natyra është e parefuzueshme! Por e rëndësishme është të jem me miqtë e duhur. Si ju është dukur këtë vit turizmi shqiptar, me aq sa keni parë, a ka përmirësime? Nuk i kam ndjekur shifrat e turizmit, por kam kënaqësi kur shoh se, thuajse në çdo cep që lëviz, që ka njerëz që flasin gjuhë të ndryshme. Kjo më bën të ndihem mirë, që Shqipëria po kthehet në një destinacion që duhet parë nga të gjithë, sidomos nga ne vetë shqiptarët më së pari.

Jeni natyrë që merreni me punë edhe kur pushoni apo i fikni telefonat?
Fatkeqësisht nuk mendoj ta fik telefonin. Puna ime është e tillë që kërkoj të jem e informuar thuajse gjatë gjithë ditës.

Çfarë zgjidhni të lexoni kur pushoni?
Romane. Njoh fatmirësisht këshillues të mirë leximesh, kështu që shpesh marr librat e duhur me vete.

Preferoni turizëm malor apo jeni besnike e detit?
Deti mbetet deti.

Ku e gjen Vjollca parajsën e saj për të pushuar në Shqipëri, a keni një vend që e frekuentoni me shumë dashuri çdo vit?
Më pëlqen bregu i jugut, por gjithsesi Durrësi mbetet ende i preferuar. Ndoshta se më mban edhe më afër punëve të mia.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: