Paraditja e sotme ka shënuar edhe përmbydhjet e procesit të numërimit të votave në të katër qarqet veriore të Shqipërisë, në atë të Shkodrës, Lezhës, Kukësit dhe Dibrës. Gjatë numërimit të votave nuk është shënuar ndonjë incident dhe as problem, që mund të vinte në diskutim procesin.

Koalicioni “Partia DemokratikeAleanca për Ndryshim” ka arritur të sigurojë në Veri të Shqiperisë 14 mandate deputeti, ose dy mandate më shumë se në zgjedhjet parlamentare të katër viteve më parë, duke zgjeruar kështu ndikimin e saj në këtë pjesë të vendit.

Ndërsa, Partia Socialiste, që garoi e vetme në zgjedhje, do të përfaqësohet në parlamentin e ardhëshëm me 9 deputetë, ose një deputet më pak se katër vite më parë, çka shënon një rënie të ndikimit të saj në këtë zonë, tradicionalisht të djathtë. Në këtë rezultat të socialistëve pati ndikim Qarku i Shkodrës, ku ata fituan vetëm tre mandate, nga katër që kishin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Edhe Levizja Socialiste për Integrim ka pësuar humbje në katër qarqet veriore të Shqipërisë duke marrë vetëm një deputet, nga tre që kishte në zgjedhjet e fundit parlamentare. LSI humbi deputetët e saj në Lezhë dhe Dibër, por mundi ta ruaj atë në Qarkun e Shkodrës. Ndërsa, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet nuk ka arritur të marrë asnjë mandat deputeti, ndryshe nga katër vite më parë kur ajo fitoi një mandat në Qarkun e Dibrës.

Ndërkohë, ajo që ra më shumë në sy në përfundim të numërimit të votave është rezultati i arritur në Qarkun e Shkodrës nga Partia Social Demokrate e Tom Doshit, e cila mundi të marrë dy deputetë, nga një që morri katër vite më parë, po në Shkodër. Këtë mandat ajo ja morri Partisë Socialiste duke e lënë atë me vetëm tre deputetë, nga 5 që synonin socialistët për të fituar në Qarkun e Shkodrës.

Komisioneri Gazmir Jasiqi, i cili ishite pjesë e procesit, shprehet se zgjedhjet ishin ndër më të qetat të zhvilluara deri tani. “Janë zgjedhjet e katërta që marr pjesë si kryetar ose si nënkryetar KZAZ-je dhe më duket se këto janë zgjedhjet më të qeta që kemi pasë deri tani, gjë që shikohet tek numri i lartë i votuesve. Besoj se teknologjia ka funksionu shumë mirë kësaj here”.

Sipas komisionerit Flavio Malocaj, teknologjia ndikoi pozitivisht në ecurinë e procesit, por është i nevojshëm trajnimi më i mirë i operatorëve për përdorimin e saj. “Mendoj se ka vend për të përmirësu, sepse edhe përsonat që janë trajnu, operatorët që janë trajnu për të përdorë paisjet elektronike kanë pasë vështirësitë e veta në instalimin e tyre, ndezjen dhe përdorimin e tyre”. Sipas komisionerëve, përdorimi i teknologjisë në qendrat e votimit ndikoi edhe në rritjen e besimit tek votuesit, çka është edhe një nga anët pozitive të zgjedhjeve të 25 prillit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb