Lirohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda Jasin Abdul, anëtar i bandës së Avdylajve, një nga policët e implikuar në grupet kriminale i arrestuar në kuadër të operacionit policor të koduar “Vol-vo 4”.

Mësohet se këtij shtetasi i është ndryshuar masa e sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie” për arsye shëndetësore.

Gjykata ka urdhëruar po ashtu që ky shtetas pavarësisht se në arrest shtëpie, nuk duhet të kontaktojë me asnjë person të jashtëm.

Kujtojmë që ky shtetas u arrestua bashkë me 43 persona të tjerë, të akuzuar për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe organizatë kriminale, si dhe pastrim i produkteve të veprës penale, të drejtuar nga grupi i Shijakut. Pjesë e dosjes dhe të akuzuar për korrupsion dhe abuzime me pronat ishin edhe ish-drejtori i Burgjeve Arben Çuko e ish-deputetin tjetër socialist Arben Ndoka. Dy ish-deputetët socialistë u liruan më pas dhe aktualisht janë në arrest shtëpie, ndërsa persona të tjerë ndodhen në kërkim.

Gjatë këtij operacioni gjithashtu u godit një laborator i përpunimit të heroinës në fshatin Brenog në Has, ku ndër të tjera janë sekuestruar 182.5 kg morfinë, e ndarë në 175 pako, 22 litra lëndë e lëngshme, të cilat përdoreshin për prodhimin e heroinës.

Procedimi për këtë operacion ka nisur pas një referimi të Policisë së Shtetit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Në këtë procedim penal janë me mijëra orë përgjime, filmime, përgjime ambientale, vëzhgime me dron, mijëra faqe me shkresa dhe këmbim informacioni e korrespodencë me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: