TIRANE

Zbulohen detaje të reaja mbi operacionin e koduar “Rruga e Gabuar”. Në dosjen e prokurorisë për Krime të Rënda, për 32 të arrestuarit si pjesë e një grupi kriminal që kontrabandonin njerëz drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Britanisë së Madhe thuhet se kundrejt shumave deri në 20 mijë dollarë, grupi kriminal pajiste me pasaporta amerikane shtetas të ndryshëm, mes tyre dhe me precedent penale, të cilët udhëtonin më pas drejt destinacioneve të kërkuara, si SHBA dhe Kanada. Ndërkohë drejt Britanisë së Madhe udhëtonin me pasaporta të falsifikuara të vendeve të BE-së. Fakte këto që sipas prokurorisë provohen nga përgjimet mes të dyshuarve.

Por, gjatë hetimit siç mëson “BalkanWeb” është zbuluar se grupi kriminal ka pajisur me dokumente false edhe njërin nga të dyshuarit si pjesëtar i grupit kriminal i drejtuar nga Astrit Avdyli që u godit në kuadër të aksionit “Volvo 4”. Pavarësisht përpjekjeve të grupit i dyshuari nuk ka mundur të largohet nga vendi, dhe vetëm pak ditë më pas është arrestuar.

Përgjimet nxjerrin në dritë edhe fakte të tjera për mënyrën sesi rrjeti funksiononte për të kontrabanduar qytetarët, disa prej të cilave janë ndaluar në Xhamajkë apo aeroporte të ndryshme të vendeve të Bashkimit Europian.

Gjatë seancës së sotme ku pritet masa për 32 të arrestuarit janë ngritur dyshime edhe për dekonspirim të operacionit, pasi koka e grupit arriti të arratisej.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb