TIRANË- Nga konferenca e rektorëve e organizuar nga Kolegji Universitar Luarasi, Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla iu ka kërkuar ndjesë pedagogëve dhe stafit të Universiteteve për vonesën e pagave të tyre.

Ajo tha se gjithçka lidhet me ligjin e arsimit të lartë dhe autonominë financiare të universiteteve.

“Unë do të përfitoj nga rasti të kërkoj një ndjesë të madhe publike të gjithë pedagogëve dhe pedagogeve por dhe administratës së universiteteve publike për vonesën e pagës së tyre, për t’iu thënë që nuk është as më shumë e as më pak por pikërisht edhe nevoja që qeveria dhe institucionet qeverisëse të bëjnë maksimalisht detyrat e tyre të shtëpisë, sepse është një axhustim i nevojshëm që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë që ofron më shumë autonomi financiare për universitetet duke vendosur që çdo buxhet që mbetet në fund të vitit të trashëgohet në vitin pasardhës buxhetor”, tha ministrja Nikolla, raporton “BalkanWeb”.

Sipas saj, ky ligj apo kjo mundësi e re e zgjerimit të autonomisë financiare që vjen përmes ligjit të ri të arsimit të lartë kërkon axhustimin e vetë në ligjin e buxhetit gjë për të cilën ajo tha se “ne e kemi tejkaluar tashmë me Ministrinë e Financave”.
“E ndërkohë ishte dhe një ushtrim, pa larguar asnjë lloj përgjegjësie nga vetja, edhe një ushtrim në vëmendje të administratorëve që besoj që nuk ishin në lartësinë e detyrës në mënyrë që t’i përgjigjeshin me zhdërvjelltësi këtij momenti të rëndësishëm që lidhet me gjithë administrimin e financave dhe gjithë linjës administrative në institucionet tona të arsimit të lartë”, u shpreh ministrja e Arsimit.

Ishte deputetja e PD-së Albana Vokshi që bëri publik vonesën e pagave të pedagogëve dy ditë më parë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: