Nga:VJOLLCA KONGJONI* TIRANE-Shtresat në nevojë tashmë duhet të kishin marrë këstin e tretë të kompensimit të energjisë elektrike. Por kanë kaluar katër muaj që pas heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 kilovat orë dhe shumë qytetarë që duhet të ishin dëmshpërblyer me 650 lekë për energjinë nuk e kanë marrë atë. Të pyetur nga News 24 , institucionet që mbulojnë këtë çështje nuk japin përgjigje duke ia kaluar përgjegjësinë për vonesat njëra-tjetrës.

Me heqjen e fashës mbrojtëse prej 300 kë në ligjin e ri për energjinë qeveria vendosi të kompensojë shtresat në nevojë me 650 lekë. Por kanë kaluar pothuajse katër muaj dhe ky kompensim në shumicën e rasteve nuk është kryer ose është kryer pjesërisht. Këtë e konfirmojnë vetë qytetarët të cilët deri tani i kanë paguar rregullisht faturat e energjisë elektrike por që nuk janë dëmshpërblyer sipas udhëzimit të qeverisë.

Përballë ngërçit të krijuar institucionet përgjegjëse fajësojnë njëra tjetrën. Të kontaktuar nga News 24 përfaqësues nga ministria e Financave sqarojnë se në buxhetin e shtetit fondi prej 1,6 miliardë lekë i emëruar në treguesit fiskal të buxhetit të konsoliduar ”Kompensimi për shtresat ne nevoje” shërben pikërisht për kompensimin e faturave të energjisë. Sipas këtyre burimeve ky fond i ka kaluar ministrisë së linjës që në datën 1 janar të këtij viti. Ndërkohë në ministrinë e Mirëqenies sociale nuk ka një qëndrim zyrtar për çështjen duke ia kaluar përgjegjësinë, institucioneve vartëse, në rastin konkret shërbimit social shtetëror por dhe prej andej aktualisht nuk ka një përgjigje.

Këto institucione pretendojnë se vonesat në dëmshpërblime kanë ardhur si pasojë e mosdorëzimit në kohë të listave të përpiluara nga njësitë e pushtetit lokal. Nga njësitë vendore në kryeqytet qëndrimet janë të ndryshme, nga minibashkia nr 7 shprehen se veç fondit të ndihmës ekonomike nuk kanë marrë fond shtesë për energjinë. Ndërsa nga njësia nr 8 thonë se vonesat janë për listat me aplikimet e reja pasi po kryhen verifikimet nga zyra e përkrahjes sociale për përfituesit. E derisa të gjenden institucionet përgjegjëse për vonesat, kategoritë në nevojë do të vijojnë të paguajnë me vështirësi energjinë, por pa u kompensuar.

(a.n/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb