TIRANË

Gazetari i politikës Aristir Lumezi ka zbardhur disa nga zhvillimet kryesore në Kongresin Zgjedhor të Partisë Socialiste që u zhvillua fundjavën që lamë pas. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24 Lumezi tha se janë 17 drejtorë të Bashkisë që janë zgjedhur anëtarë të Asamblesë së re Kombëtare të PS-së e cila më pas zgjedhj e Kryesinë. Sipas tij kjo tregon një dominancë të Erion Veliaj dhe një projektim të tij si pasardhës i Edi Ramës.

Lumezi foli më tej për një shkëputje mes grupit parlamentar të PS-së dhe ministrave.

Çfarë ndodhi në Kongresin e PS-së?
Dita e dytë e kongresit të PS kishte në rend të ditës edhe zgjedhjen e Asamblesë së re Kombëtare të PS-së. Nga 20 anëtarë që Bashkia e Tiranës ka si anëtarë në Asamblenë Kombëtare 17 prej tyre janë drejtorë të bashkisë, drejtorë të mëdhenj, administratorë të Njësive Bashkiake dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak. pra, një dominancë totale. nëse shohim pastaj dhe tre anëtarë të tjerë janë po drejtorë të mëdhenj institucionesh por të paktën këto janë institucione të tjera të pavarura. 17 kanë lidhje direkte me bashkinë. Ajo që ka ndodhur dhe sipas burimeve është që ka qenë një votim i orientuar dhe për shkak të këtij votimi të orientuar në zgjedhje, në votim kanë marrë pjesë vetëm 70% e delegatëve të Tiranës dhe 30% e tyre kanë bojkotuar votimin. Nga statistikat zyrtare të PS-së në përfundim të këtij votimi mungonin rreth 210 delegatë që nuk morën pjesë në votim. Duket pak e çuditshme sepse këta ishin delegatë të rinj të Kongresit, një i ri që përfshihet në një forum apo institucion të tillë siç është Kongresi nuk besoj se është mërzitur me votimet, ka qenë votimi i parë, ka pasur gjithë dëshirën e mirë për të marrë pjesë në votim dhe për të zgjedhur një nga ato emra në listën e kandidatëve për Asamblenë Kombëtare. Ka qenë pikërisht një lloj orientimi në votim që janë mërzitur e zhgënjyer delegatët.

Çfarë do të thotë kjo lëvizje e Veliajt?  
Shiko, në PS prej kohësh, të themi që pas ardhjes së zotit Rama në krye të PS-së se unë kam vite që kam ndjekur ose më mirë të themi pasi PS ka ardhur në pushtet ishin tre rryma që përplaseshin. Ka qenë një rrymë që përfaqësonte bashkinë, z. Veliaj me zyrtarë të bashkisë, pjesa më e madhe e tyre të ardhur nga organizata Mjaft, pjesa tjetër ishin disa si Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri, Blendi Klosi, pra të rinjtë që kishin ardhur nga shoqëria civile dhe që i ishin atashuar PS-së me një bacground pozitiv në fushën ku kishin punuar dhe grupimi i tretë ishte ajo që kishte ngelur pas epokës Nano po themi dhe gjithë anëtarësia e PS-së. Gjatë gjithë këtyre viteve, 7 vjet në qeverisje ka pasur fërkime, përplasje dhe viktima politike një prej të cilëve ishte Saimir Tahiri, i cili kishte krijuar një lloj antagonizmi dhe një lloj polemike me grupimin tjetër, të Mjaftit apo të Bashkisë. Sot fakti tregon që dominancën, të paktën në Asamblenë Kombëtare të PS-së e ka marrë bashkia. Pjesa tjetër është më e tkurrur, pra më pak e përfaqësuar sepse pati një rifreskim të kabinetit qeveritar me një arsyetim jo shumë bindës, domethënë u hoqën rreth 7-8 ministra vetëm se kishin 5 vjet stazh po kurrë pa bërë një analizë të performancës së punë së tyre. E vetmja performancë që nga vetë ministrat është ‘denoncuar’ është klikimet apo ndjekja në ‘Facebook’ e faqeve të ministrive. Sot jemi para këtij fakti kur grupimi i bashkisë është dominues dhe pjesa tjetër është pak më e tkurrur dhe gjithë anëtarësia pastaj që ndjek lidershipin, flasim për forumet drejtuese ku ka vendimmarrje, ku PS merr vendime siç është Asambleja Kombëtare nga e cila do të dalë dhe kryesia. Kur Asambleja është e formatuar në këtë mënyrë pritet që edhe Asambleja të këtë po këtë lloj formati.

A po projektohet Veliaj si pasardhës i Ramës?
Padyshim që ai do jetë pasi nuk ka ndonjë figurë tjetër që të promovohet aq shumë. Përvoja e PS-së ka treguar ë bashkia është një trampolinë shumë e mirë për të marrë drejtimin e partisë dhe më pas edhe drejtimin e qeverisë së ardhshme. Treguesi i fundit i zgjedhjeve për Asamblenë Kombëtare tregon një pushtet dominues të z. Veliaj të paktën në Asamble, aty ku kishte mundësi për të vendosur këtë hegjemoni për të kontrolluar këtë asamble.

Si kanë qenë marrëdhëniet mes Ramës dhe Veliajt?
Në publik nuk është se tregohet ndonjë as dashuri e madhe por as edhe përçarje. Është një trajektore që vjen në ngjitje vazhdimisht, sa herë zoti Rama ka pasur raste, ka komunikuar përmes batutës me zotin Veliaj, ndërkohë që marrëdhënia e tyre është mjaft e konsoliduar si institucionale ashtu dhe personale. Nuk di që të ketë përplasje. Edhe për shkak se zoti Veliaj është mjaft fleksibël. Nuk është nga ata që vendos mure por është shumë fleksibël në komunikim dhe marrëdhënie me shefin e tij por edhe me kundërshtarin e tij është treguar mjaft fleksibël.

Një tjetër fenomen që u vu re ishte dhe mos pjesëmarrja e konsiderueshme në votim e delegatëve për anëtarë të Asamblesë. Pse ky bojkot sipas jush?
Është pak i pashpjegueshëm por sipas burimeve kanë qenë këto listat e orientuara për të zgjedhur anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Delegati rishtas, i sapozgjedhur dhe në Kongresin e parë ku ai do të prezantohet, përfaqësohet dhe do shprehë dhe votën e tij për herë të parë mua më duket e pakuptimtë që me vullnetin e tij, apo kur i ka gjërat të gjitha në rregull dhe pa presione të bojkotojë dhe të largohet nga votimi. Votimi është pikërisht momenti i tij i peshës në Kongres si delegat.

Kur ai arrin në atë pikë që nuk e shfrytëzon atë moment, atëherë tregon se diçka nuk ka shkuar.

A ka pakënaqësi brenda PS-së për qeverisjen e Ramës?
Pakënaqësi të shprehura nuk ka. Flasim që nga kupola dhe duke zbritur poshtë. Por aty-këtu, deputetë flasin për një shkëputje të marrëdhënies mes grupit parlamentar dhe ministrave, qeverisë. Kështu siç është formatuar dhe puna e deputetit është lënë më shumë kohë të ndjekin dhe problematikat në bazë, në zonat e tyre. Këto problematika sillen në grup, trajtohen, diskutohen por jo të gjitha problematikat kanë zemërgjerësi institucionale të themi për t’u trajtuar nga ministrat. Nëse ti me institucionin i jep mundësi deputetit që të komunikojë dhe të marrë gjithë problematikat apo vërejtjet që mund të ketë zona dhe ai të nesërmen të kthehet dhe të thotë që shiko ju mirë mi thatë mua por nuk bëj dot gjë atëherë këtu ke krijuar dhe shkëputjen mes komunitetit dhe deputetit. Është pikërisht ky momenti që z. Rama në fjalën e tij në Kongres e preku ku kërkoi një komunikim të ri. Nëse nuk i jep fuqi dhe peshë deputetit që të zgjidhë disa halle atëherë është e kotë të vendoset ky komunikim kur ky komunikim mbetet vetëm fjalë apo përçim mesazhesh. Pra duhet një arsye që pse komuniteti shkon tek deputeti.

Mendoni se ka grupe me interesa të ndryshme brenda PS?
Zoti Rama është munduar që t’i mbajë në një lloj baraspeshe interesat dhe kërkesat e tyre. Ai mësuar që të ketë rreth vetes njerëz me profile jo shumë të spikatura sepse edhe i qeveris më lehtë edhe i kontrollon më mirë edhe për shkak të protagonizmit. Nuk ka pranuar kurrë të ketë protagonistë të spikatur në PS dhe për këtë shkak vijnë dhe këto lloj rotacionesh që lëvizin zv.ministra, ministra. Në gjykimin e përgjithshëm është që këta njerëz punuan por mund të punonin dhe më shumë dhe s’kanë pse të ngrihen si figura. Me sa duket pasardhësi është formatuar dhe të tjerët nuk kanë pse të ngrihen më politikisht brenda PS-së.

Pati një grup të vogël që përfaqësohej nga Arta Dade, të cilët patën dhe disa propozime por që nuk u shpërfillën nga Kongresi…
Është si një refren i njohur që gjithmonë në Kongrese ka pasur zëra ndryshe që kanë kërkuar ose ndryshime statutore ose ndonjë rinovim ose rikonfirmim të mandatit të kryetarit të partisë. Gjithmonë ka pasur kërkesa. E keqja është se në Kongreset e mëparshme ka pasur disa platforma, mbaj mend në 2007 për shëmbull apo dhe 2009, disa platforma është arritur të hidhen dhe për votim në Kongres dhe janë rrëzuar me votë. Në këtë rast nuk patëm. U cilësuan jo të sakta, të paktën ndryshimet statutore. Nuk iu la zëri i Kongresit që të shpreheshin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb