Nënkryetari i Partisë Republikane, Blendi Sulaj deklaroi se dorëheqja e Sandër Lleshat nga detyra e ministrit të Brendshëm, nuk e mbulon ngjarjen e rëndë të vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

I ftuar në emisionin “Real Story” në ‘News24’ Sulaj tha se kjo qeveri nuk ka si qëllim që të luftojë krimin, por të luftojë qytetarët për të mbuluar krimin.

“Vrasja e një të riut, ditën e rinisë në datën 8 Dhjetor, kjo është një çështje që ka kapur të gjithë shoqërinë. Ju thoni se kjo protestë ishte politike. Po ku e bazoni ju se ishte politike?! Nëse shihni 2-3 qytetarë, ata nuk i përfaqësojnë të gjithë. Nuk ka njeri sot që mendon se Edi Rama, Lleshaj, mund ta duan policinë e shtetit më shumë se sa qytetarët. Pasi ata kanë më shumë nevojë se ne. Nuk ka njeri nga ne që të mendojnë dhe të jetë kundër atyre policë që rrinë në shi, borë e diell. Ne jemi kundër kupolës drejtuese të Policisë së Shtetit. Peshku qelbet nga koka. Koka është Edi Rama. Këtu janë të gjithë të korruptuar. Duhet të ikin të gjithë si ‘paketë’. Qeveria është e korruptuar. Kjo ngjarje nuk është një ngjarje që mund të mbulohet vetëm me një dorëheqje. Ku ka poli sot që i drejton gishtin një kapobande, apo pjesë e bandave në qytetet e Shqipërisë. E disa e thjesht është që të ngrenë gishtin dhe të rrihen ata të rinj. Kjo qeveri ka qëllim që të mbulojë krimin. Sot kemi një drejtori dhe një grup qeveritar që duhet të marrë valixhet dhe të ikë.”, tha Sulaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb