DURRËS- Familjarët e 39-vjeçarit Shpëtim Shala që u ekzekuta me 15 plumba brenda makinës së tij në Durrës, për arsye ende të panjohura, deklarojnë në një intervistë për gazetaren e News 24, Klodiana Haxhiaj se dhimbja e tyre është shumfishuar nga balta që po hidhet mbi viktimën.

Duke akzuar mediat se po thonë të pavërteta mbi Tim Shalën, siç e njohin në Durrës, babai dhe bashkëshortja e të ndjerit thonë se ai nuk kishte as borxhe dhe as konflikte.

“Djalin nuk e kisha me asnjë precedent penal, nuk kishte me asnjë person konflikte. Punonte gjatë verës në plazh privat, ishte një baba shembullor dhe punëtor. Unë këkroj që të gjendjet kush e vrau, policia e prokuroia të bëjnë punën e tyre, dhe të mos hapin lajme të paqëna, sepse jemi familje e nderuar në të gjithë Durrësin”, deklaroi babai i viktimës Muharrem Shala.

Sakaq edhe bashkëshortja e viktimës, Kristina Shala shpreh indinjatën e saj për ato që shkruhen për bashkëshortin e saj. “Jam e indinjuar për ato që thuhen për Shpëtimin. Para se të vritej më telefonoi e më tha, po vij në shtëpi… Ai ishte një bashkëshort i mrekullueshëm, baba i përkushtuar për tre vajzat tona të vogla. Ju lutemi mos hidhni baltë mbi Timin. Na lini në dhimbjen tonë që është kaq e madhe. Ai nuk kishte konflikte me askënd, nuk i kishte borxh askujt, ishte nisur të vinte të hante drekë në shtëpi. Nëse dikujt i ka ndonjë borxh të vijë në shtëpi e të fliste me ne. Por kjo nuk është e vërtetë. Mos e përfshini Timin në banda, sepse ishte djalë me shoqëri të madhe, e shumë i dashur! “ pohoi bashkëshortja.

Ajo apelon më tej që drejtësia të gjejë autorët.

Viktima është baba i 3 vajzave të mitura dhe u ekzekutua me automatik në zonën e plazhit, në sektorin “Iliria”, më 8 maj. Autori dyshohet se i ka zënë pritë dhe e ka mbajtur nën vëzhgim viktimën, që kish hipur në automjet pak çaste pasi ishte ndarë me shokët e tij.

Shpëtim Shala u gjet i vrarë brenda në automjetin e tij tip “Volksëagen”, me targa AA 086 HJ, i cili ndodhej pranë një lokali. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe e provave materiale të gjetura në vendngjarje rezulton se autori ende i paidentifikuar nga policia i ka ndërprerë rrugën Shalës, i cili në bazë të gjasave e ka njohur, kjo sepse ka ndaluar dhe ka fikur automjetin.

Autori e ka qëlluar nga një distancë e afërt, rreth një metër, dhe është siguruar që viktima ka ndërruar jetë. Por nuk dihet nëse kanë debatuar apo jo, nëse 39-vjeçari ka folur me atentatorin apo jo, pasi policia që ndërtoi skemën e krimit bëri me dije se autori ka shtënë 15 herë në drejtim të viktimës nga xhami i shoferit, që ka qenë i mbyllur në momentin që është kryer vrasja.

Mbi 25 persona janë shoqëruar e po merren në pyetje nga policia e Durrësit për të hedhur dritë mbi krimin dhe autorët.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: