Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vrasjen të riut Visart Cengu nga Kukësi në një lokal nate në Prizren. Autoritetet në Kosovë dhe Shqipëri janë duke u koordinuar për të hetuar rastin në fjalë.
Policia e Kosovës, në raportin 24-orësh, ka bërë të ditur se janë arrestuar gjashtë persona, të cilët janë dërguar në paraburgim.

“Është raportuar se nga disa persona në një lokal ka pasur shkëmbim zjarri. Pas incidentit, tre nga të përfshirët në rast, që ishin shtetas të Shqipërisë, janë larguar me veturë në drejtim të Republikës së Shqipërisë. Pas kontaktit me autoritetet e Shqipërisë, është konfirmuar se njëri nga personat e përfshirë në incident ka ndërruar jetë, ndërsa një tjetër është i plagosur. Lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe të njëjtët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

Po ashtu bëhet e ditur se janë kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti dhe në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, ku janë sekuestruar disa prova. Po ashtu thuhet se njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet shqiptare për vazhdimin e ekzaminimeve të trupit të viktimës dhe automjetit të tij.
“Me urdhër të prokurorit, është kryer bastisje në lokalin ku ka ndodhur incidenti dhe në shtëpinë e njërit nga të dyshuarit lidhur me rastin janë sekuestruar disa dëshmi. Po ashtu në afërsi të vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja. Njësitë e hetuesisë janë në koordinim me autoritetet e Shqipërisë për vazhdimin e ekzaminimeve e trupit të pajetë, si dhe veturën e viktimës. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente policore”, thuhet në raport.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb