TIRANË

Ky vit do të ketë ngjarje që do të burojnë nga pastrimi i drejtësisë. Kështu mendon gazetarja Rudina Xhunga teksa ka komentuar në rubrikën “Opinion” në News24 ngjarjet e fundit në vend duke shprehur dhe përditshmëritë për 2020-ën.

Xhunga pohoi se do të vazhdojë misionin e saj për të nxjerrë në pah vlerat e njerëzve të zakonshëm nëpërmjet emisionit që vjen çdo të diel në News24.
“Viti i Ri kaloi në mënyrë normale. E kaluam në shtëpi me familjen. Për mua ka nisur me plane të zakonshme, kë do intervistoj, kush janë shqiptarët e mrekullueshëm që kam në plan këtë vit. Nuk heq dorë nga shqiptarët e thjeshtë. Ata ndikojnë në jetën tonë”, tha Xhunga.

Sa i përket vrasjes së biznesmenit në Rrëshen, apo vrasjes së biznesmenit në Tropojë, ajo deklaroi se janë vrasje të përgatitura nga një kohë tjetër.
“Vrasje ka, ndodhin në çdo kohë. Vrasja që ndodhi dje në Bajram Curri. Nuk ndodhi dje, dje u tërhoq këmbëza. Janë vrasje të përgatitura nga një kohë tjetër”, u shpreh Xhunga.

Lidhur me pritshmëritë e saj për vitin 2020, gazetarja e njohur ktheu sytë nga drejtësia duke paralajmëruar një vit me ngjarje.
“Unë kam pritshmëri nga drejtësia. Ky është viti që ka pritshmëri nga drejtësia. Unë nuk jam naive që të mendoj se SPAK do bëjë namin dhe drejtësia do pastrohet këtë vit, as këtë 10-vjeçar. Unë besoj shumë tek fryma, tek frika që krijohet. Në qoftë se ti ke qenë pjesë e një klase politike që e di që është normale të vjedhë xhepat e popullit të vet, dmth që e di që është normale që aty nuk është shërbëtor por hajdut atëherë ti kështu do jetosh, i drejtuar nga hajdutët, vend i varfër, do vuash…Në momentin që njerëzit ndërgjegjësohen dhe e dinë që ata po u kapën do venë para drejtësisë dhe do dënohen siç ndodhi me njerëz të rëndësishëm të politikës në Kroaci e Rumani, atëherë befas nuk do i kemi të gjithë politikanët në burg por ata që do vijnë do kenë frikë të vjedhin në këtë mënyrë harbute siç kanë vjedhur deri tani dhe na kanë thënë që kështu është politika të vjedhësh. Kështu e quaj unë pastrimin. Unë pastrimin nuk e quaj që befas burgu i Rrogozhinës do jetë plot me politikanë. Kjo do vijë gradualisht, kështu që ky vit do ketë ngjarje. Më pas do kemi dhe ngjarje politike që do jenë të impaktuara nga ngjarje në drejtësi. Do jetë viti i ndryshimeve për shkak të drejtësisë. Mendoj se kemi hyrë në një fazë të tillë. Kur do dalim nuk e di por të paktën hymë”, deklaroi Xhunga.

Sa i përket zhvillimeve mes SHBA-ve dhe Iranit me vrasjen e gjeneralit Soleimani, Xhunga tha se Shqipëria duhet të jetë qartësisht e shprehur që është me SHBA-të.
“Kjo është luftë, nuk është gallatë, nuk është shaka. Lufta kundër terrorizmit. Në këtë luftë unë do doja të ishim qartësisht të shprehur me kë jemi. Me SHBA, presidentin Donald Trump apo me terroristin e vrarë? Jo me Iranin. Në këtë vend kemi 3 mijë muxhahedinë. Kemi pasur të dhëna për ngjarje kriminale në tentativë tek bektashinjtë, pasi janë të ngjashëm me shiitët dhe janë të rrezikuar nga radikalizimi. Kemi pasur dëbime të diplomatëve iranianë të përfshirë në këto ngjarje, ndaj jemi të lidhur. Prandaj nuk ka asnjë dyshim që ti je me SHBA, flas për veten dhe njerëzit që nuk e kanë idenë çfarë po ndodh. Kjo është gjepolitikë dhe ti je i prekur dhe je me SHBA. Thomas Friedman tha se Donald Trump urdhëroi vrasjen e një njeriu për të cilin një ditë Irani do ta falënderojë në të ardhmen, do t’i vërë emrin një rruge të Donald Trump. Nuk mund të themi që nuk na intereson. Kur ka luftë nuk mund të thuash je neutral”, u shpreh Xhunga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb