Brenda këtij viti, plot 6 gra e vajza kanë humbur jetën pas agresionit nga bashkëshortët, bashkëjetuesit, apo dhe vetë baballarët. Përqindja më e lartë e grave që përjetojnë dhunë në familje, është në qarkun e Tiranës me 35,8 % gra të dhunuara, ndjekur nga qarku i Durrësit me 13,9 %, ndërsa qarku i Kukësit dhe ai i Dibrës kanë përqindjen më të ulët, përkatësisht, 0,9 dhe 1,5 % gra të dhunuara. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arjola Alikaj, avokate e njëkohësisht anëtare e Komitetit të Grave për Këshillin Rajonal Europian, PERC, dhe përfaqësuese e BSPSH-së tregon se rastet e dhunës në familje pasqyrojnë numrin e raportimeve të bëra në polici, dhe përfshijnë edhe rastet në të cilat ky fenomen ka shkaktuar vdekjen e personit. Ajo thekson se në vitin 2017, nga 50 vrasje të ndodhura, 26,0 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve në familje. Avokatja bën me dije se në vitin 2018, janë evidentuar plot 110 raste si krim me natyrë seksuale e madje shton se dhunë me bazë gjinore është ushtruar edhe në vendet e punës. Alikaj shton se gratë e dhunuara si fizikisht, emocionalisht dhe psikologjikisht nuk përfitojnë ndonjë ndihmë financiare nga shteti për të filluar një jetë të re larg dhunuesit. Ajo shton se duhet një strategji e të gjithë aktorëve për të parandaluar krimin në familje, e për të parandaluar humbjen e viktimave të pafajshme.

Në më pak se dy muaj, 6 gra e vajza kanë humbur jetën pasi janë vrarë nga bashkëshortët, të dashurit apo baballarët e tyre. Cili është opinioni juaj si avokate mbi rritjen e numrit të vrasjeve të grave dhe vajzave në Shqipëri?

Krimi në familje ka marrë përmasa të frikshme në Shqipëri sidomos në fillim të vitit 2019-të. Më konkretisht, nëse do t’i referohemi kalendarit të vrasjeve nga data 1 janar-12 shkurt 2019, numërohen këto krime. Vrasja e parë u shënua në fillimet e vitit të ri, konkretisht në datën 2 janar 2019, vrasje e dyfishtë, e cila ndodhi në Ballsh. Autori, Gazmend Musta vrau bashkëshorten e tij dhe motrën e saj 18-vjeçare. Një ditë më pas u bë publike një tjetër vrasje makabre që ndodhi në Alepu, Korfuz të Greqisë, ku një shqiptar vrau vajzën e tij 28 vjeçare dhe më pas e fshehu trupin e saj në kopshtin e shtëpisë.

Në 14 janar 2019, autori i krimit, i identifikuar si Majlind Lila, 52 vjeç, qëlloi disa herë me një pistoletë mbi vjehrrin dhe vjehrrën, te ndjerët Bujar dhe Xhevahire Mata, duke i lënë ata të vdekur në vend. Në 6 Shkurt 2019, një tjetër viktimë femër u shënua në qytetin e Vlorës. Bëhet fjalë për një tjetër krim në familje, burri vret me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas pret damarët. Më 12 shkurt viktima e fundit u shënua në “Allias”, ku bashkëshorti, Alket Arapaj, vrau bashkëshorten e tij, Ervilma Seferaj, për motive të dobëta me armën e shërbimit.

Sipas statistikave, sa është numri i denoncimeve për dhunë në familje dhe nga cilat qytete vijnë më së shumti raportimet?

Më konkretisht në vitin 2017, numërohen në terma absolutë 3243 gra të dhunuara. Përqindja më e lartë e grave që përjetojnë dhunë në familje, është në qarkun e Tiranës me 35,8% gra të dhunuara, ndjekur nga qarku i Durrësit me 13,9%, ndërsa qarku i Kukësit dhe ai i Dibrës kanë përqindjen më të ulët, përkatësisht, 0,9 dhe 1,5 % gra të dhunuara. Numri i grave të dhunuara në raport me numrin e popullsisë është më i lartë në qarkun e Durrësit, Vlorës dhe Tiranës me normë përkatësisht 32, 26,6 dhe 26, 3 të dhunuara për 10 mijë banore gra. Rastet e dhunës në familje pasqyrojnë numrin e raportimeve të bëra në polici, dhe përfshijnë edhe rastet në të cilat ky fenomen ka shkaktuar vdekjen e personit. Në vitin 2017, nga 50 vrasje të ndodhura, 26, 0 % e tyre kanë ardhur si rezultat i vrasjeve për shkak të marrëdhënieve në familje.

Sa është numri i denoncimeve nga gratë dhe vajzat që raportojnë raste ngacmimi apo abuzimi seksual?

Në tremujorin e parë 2018, janë evidentuar 13 krime me natyrë seksuale. Në tremujorin e dytë 2018, janë evidentuar 31 krime me natyrë seksuale, 9 më shumë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Nga këto, 8 prej tyre i përkasin veprës penale “Vepra të turpshme”. Në këtë periudhë janë evidentuar 33 autorë për veprën krime me natyrë seksuale, duke shënuar një rritje me 13 autorë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e tretë 2018, janë evidentuar 38 krime me natyrë seksuale, 3 më pak, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017. Në këtë periudhë janë evidentuar 37 autorë për veprën krime me natyrë seksuale. Në tremujorin e katërt 2018, 31 janar 2019 janë evidentuar 28 krime me natyrë seksuale, 7 më shumë, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017.

A ka pasur raste dhune me bazë gjinore në vendet e punës dhe cilat janë format e saj?

Dhuna me baze gjinore ekziston dhe në vendet e punës, ku pjesa më e madhe e punonjëseve kanë frikë t’i denoncojnë për shkak se përballen me largime nga puna. Punëdhënësit përdorin dhunë psikologjike, madje ka dhe raste të dhunës fizike, të cilat vetëm në ndonjë rast sporadik janë bërë publike. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë ka mbështetur e para në Shqipëri, Konventën e Re të ILO-s “Eliminimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Vendin e Punës, Konventë kjo e cila do aprovohet në Qershor në Konferencën Vjetore të ILO-s. Për këtë Konvente ne morëm dhe konfirmimin në Këshillin Kombëtar të Punës nga ish-ministri Arben Ahmetaj që MEF do ta mbështetëse këtë Konventë në qershor në Gjenevë. Miratimi i kësaj Konvente do të jetë e detyrueshme për të gjitha shtetet, dhe besojmë që do sjellë një fryme të re në çështje të denoncimit, apo heshtjes nga punonjëset. Duke qenë se BSPSH ka realizuar fushata sensibilizuese për shumë çështje të barazisë gjinore, do të prezantojmë dhe strategjinë tonë për parandalimin e dhunës ndaj femrave në “UN Women New York” në konferencën e përvitshme. Për këtë arsye po bashkëpunojmë me PERC, ku BSPSH është anëtare dhe përcjell zërin e të gjithë punonjëseve shqiptare, ILO- Shqipëri, NGO të ndryshme, Organizata të Punëdhënësve për të adresuar çështje të ndryshme të Barazisë Gjinore në Konferencën e “UN Women New York”.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në vrasje apo përdhunim të vajzave e grave?

Faktori ekonomik është një nga faktorët kryesore që sjell dhe probleme të rënda në familje. Të rralla janë femrat të cilat kanë pavarësi financiare, e cila ndikon në marrje të vendimeve të drejta në momente të duhura. Shumica dërmuese e femrave shqiptare janë të nënshtruara për shkak të mentalitetit dhe mundësive ekonomike nga bashkëjetuesit dhe madje janë dhe të dhunuara fizikisht dhe psikologjikisht nga ata në rast se i denoncojnë. Këto femra duhet të gjejnë guximin për t’i denoncuar të gjitha aktet e dhunës dhe kjo mund të parandalojë dhe aktet ekstreme, siç janë vrasjet.

Cila është zgjidhja që iu ofrohet viktimave?

Gratë e dhunuara si fizikisht dhe emocionalisht dhe psikologjikisht nuk përfitojnë ndonjë ndihmë financiare nga shteti për të filluar një jetë apo të kenë një mundësi të re, për t’u dhënë mundësi atyre që të mos jetojnë në një banesë me bashkëjetuesin, apo shërbim ligjor falas. Mund të jenë shumë pak organizata të cilat mund të ofrojnë ndihmë ligjore falas, ose të kenë mundësi që ato dhe fëmijët e tyre të trajtohen në një mënyrë të veçantë dhe me psikologë për të kaluar këto trauma. Pavarësia financiare është një nga pengesat kryesore të femrave shqiptare në përballimin e jetesës, të cilat i detyrojnë ato t’i rikthehen përsëri jetës me bashkëjetuesin, që në shumë raste ka qenë dhe fatale deri në humbjen e jetës së tyre.

A duhet të ketë ndryshime në aktet nënligjore për dhunën në familje në mënyrë që të minimizohen vrasjet?

Edhe pse është e parashikuar në nenin 7 të ligjit nr. 47/2018 për asistencë për një strehim të përkohshëm dhe të sigurt të viktimave, përsëri ka problem në zbatim të ligjit, kjo pasi shumica e femrave për shkak të mentalitetit dhe familjeve të tyre, e quajnë martesën si një tabu, nuk kanë informacionin e nevojshëm se ku duhet të drejtohen, rrugën dhe procedurën që duhet të ndjekin. Neni 7/1 i ligjit 9669 i dt. 18.12.2006 i ndryshuar në vitin 2018, garancia për mbrojtjen thekson: 1. Çdo organ ose autoritet, që është përgjegjës për të trajtuar dhunën në familje, pranë të cilit drejtohet viktima, garanton mbrojtje sipas këtij ligji, pavarësisht vendbanimit ose vendqëndrimit të viktimës. 2. Kjo mbrojtje nënkupton asistencën për strehim të përkohshëm, transportin drejt një strehimi të sigurt ose drejt shërbimeve të kërkuara, shoqërimin drejt urgjencës ose shërbimeve mjekësore të domosdoshme ose pranë shërbimeve të mbrojtjes së viktimave të dhunës në familje. Edhe pse ndryshimet janë bërë në Kodin Penal që të mospërfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, personat që kryejnë vepër penale të vrasjes në familje, përsëri nuk janë të mjaftueshme, pasi nga statistikat, këto vrasje brenda në familje po shtohen, sikur rasti i Fadil Kasemit, i cili vrau të ndjerën Fildez Hafizin dhe u dënua me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Duhet një strategji e të gjithë aktorëve për të parandaluar krimin në familje, për të parandaluar humbjen e jetëve të pafajshme./Gazeta Shqiptare

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb