NGA MIRSAD RAKAJ*
SHKODËR- Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 35 vite burg Aleksandër Dushajn, i akuzuar për vrasjen e vëllezërve Abdullah dhe Skënder Shkami. Ngjarje kjo e ndodhur në janar të këtij viti në fshatin Drisht të këtij rrethi, pasi një nga viktimat nuk i dha vajzën për nuse autorit të krimit.

Vendimi ndaj 31-vjeçarit është dhënë në prezencë të mediave, ndërkohë që në sallën e gjyqit nuk ishin të pranishëm familjarët dhe të afërmit e tij. Gjatë fjalës së tij, Dushaj shprehu keq-ardhje për ngjarjen, ndërsa kërkoi mëshirë para trupit gjykues.

“Jam penduar për atë që kam bërë. Nuk doja t’i vrisja dy vëllezërit Shkami, por kam qenë në kushtet e një gjendje të rënduar psikike. Vrasjen nuk e kam paramenduar, ka qenë diçka e çastit. Kërkoj mëshirë”, ka thënë 31-vjeçari. Ndërsa avokati i të pandehurit, Albert Keraj, kërkoi uljen e 1/3 të dënimit për faktin se klienti i tij e kishte pranuar krimin si dhe ka qenë i gatshëm për të bashkëpunuar me prokurorinë.

Gjithashtu, mbrojtja ka argumentuar se vrasja nuk është kryer me paramendim, por ka qenë ngjarje e çastit. Ndërsa, organi i akuzës kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm të Aleksandër Dushajt. Në përmbyllje të gjykimit, gjyqtarja Luvela Dardha e shpalli fajtor 31-vjeçarin duke e dënuar atë me burg për jetë për veprat penale “Vrasje me paramendim në rrethana cilësuese” dhe “Armëmbajtje pa leje”, por që në aplikimin e gjykimit të shkurtuar dënimi u ul në 1/3, pra në total 35 vite burg.

Ndërkohë, gjykata urdhëroi transferimin e tij për kryerjen e dënimit në një burg të sigurisë së lartë. Ndërkaq, pala mbrojtëse brenda 10 ditëve ka të drejtën e apelimit. Vrasja për të cilën u dënua dje Aleksandër Dushaj ka ndodhur më 2 janar. Ai ekzekutoi me 20 plumba bashkëfshatarët e tij, Abdulla dhe Skënder Shkami, përkatësisht 61 dhe 50 vjeç.

Sipas policisë, dy vëllezërit kishin refuzuar që të bënim miqësi me autorin (ky i fundit donte vajzën e Skënderit për nuse). Mësohet se vëllezërit Shkami kishin dalë për vizitat e Vitit të Ri, pasi njëri prej tyre, pikërisht Skënderi ishte kthyer në atdhe nga Londra ku jetonte, për të kaluar ndërrimin e viteve. Teksa po ktheheshin në shtëpi, në rrugën e Drishtit afër dyqaneve të fshatit, rreth orës 11:30 minuta ata janë qëlluar në pritë me breshëri kallashnikovi nga shtetasi Aleksandër (Esat) Dushaj dhe për pasojë mbetën të vdekur në vend. Autori i krimit u kap pas 48 orësh në Tiranë.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb