SHKODËR- Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Aleksandër Dushajn i cili vrau më 2 janar 2 vëllezërit Shkami në fshatin Drisht të Shkodrës.

Ndryshe nga rrëfimi i tij në prokurori dhe në Polici, Dushaj është penduar në sallën e gjyqit dhe ka kërkuar falje para trupit gjykues. Por gjithashtu ai ka deklaruar se Skënder Shkami e ka kërcënuar pasi ishte kundër krushqisë ndaj edhe ai e ka kryer këtë veprim. Në seancë është vënë re mungesa e familjarëve të Dushajt.

30-vjeçari Aleksandër Dushaj, kreu krimin e rëndë në ditën e dytë të vitit të ri duke qëlluar me automatik mbi Abdulla (60) dhe Skënder Shkamin (50), pasi këta nuk pranuan që të fejohej me vajzën tyre.

DOSJA E PROKURORISË

Gjykata e Shkodrës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për shtetasin Aleksandër (Esat) Dushaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi e mbajtja e armëve luftarake pa leje”, vepra me pasojë vdekjen e shtetasve Abdulla dhe Skënder Shkambi, ngjarje e ndodhur në dt. 02.01.2016 në zonën e Postribës.

Nga studimi i të dhënave të dokumentuara nga policia gjyqësore dhe verifikimet e bëra nga prokurori, rezulton se:

Me date 02.01.2016 është marre informacion se ne fshatin Drisht të njësisë Administrative  Postribe janë vrarë me arme zjarri  dy shtetas e pikërisht shtetasit  Abdulla Shkambi  dhe Skënder Shkambi që të dy banues në fshatin Drisht.

Nga veprimet e kryera në vendin e ngjarjes janë gjetur kufomat e shtetasve Abdulla Shkambi  dhe Skënder Shklambi. Gjithashtu në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës 5 (pese) gëzhoja model 56 , kalibër 7.62 një predhe dhe nje fishek.

I pyetur ne hetim ne lidhje me këtë ngjarje shtetasi Rexhep Guri (Shkambi), vëllai i viktimave deklaron se ai se bashku me familjen e tij jeton ne Angli prej rreth 15 vitesh. Gjithashtu dhe vëllai i tij viktima Skënder  Shkambi jeton së bashku me familjen e tij në Angli. Më datë 20.12.2015 ai se bashku me Skënderin kane ardhur nga Anglia për të festuar festen e vitit te ri tek nëna e tyre dhe vëllezërit e tjerë që jetojnë në Shqipëri dhe do të ktheheshin në Angli më datë 03.01.2016. Më datë  02.01.2016 rreth orës 09.30 minuta ai së bashku me katër vëllezërit e tjerë të tij kanë shkuar për të pirë kafe tek djali i dajës së tyre, pasi ai martonte vajzën. Pasi kanë pirë kafen ai së bashku me Skënderin dhe Abdullain janë nisur për të shkuar tek banesa e tij ndërsa dy vëllezërit e tjerë kanë shkuar për vizitë në fshatin Dragoç tek një mik i tyre.

Ky shtetas deklaron se nga fshati Dushaj deri poshtë shtëpisë së tyre i kishte përcjellë me makinë djali i dajës. Pasi kanë zbritur nga makina, Skënderi  së bashku me Abdullain janë ndaluar për t’i marrë disa rroba shtetasit B.D. të cilat do ja dërgonte djalit të tij në Angli. Në kohën që ata kanë qëndruar me B.D., ai ka vazhduar rrugën në këmbë për tek banesa e tij. Duke qenë se dy vëllezërit po vononin të shkonin në shtëpi ai ishte bërë merak dhe ka marrë në telefon Skënderin,  të cilin e ka pyetur se përse po vonohej. Skënderi i është përgjigjur se ishin ndaluar në rrugë duke biseduar me shtetasin Esat (Aleksandër) Dushaj. Në këtë kohë Rexhepi i ka thënë se a të vi dhe unë dhe ai i është përgjigjur eja.

Ka dale menjëherë nga shtëpia e nënës së tij për tu nisur ne drejtim ku ishin vëllezërit e tij  por në këtë kohë ka dëgjuar disa krisma arme  rreth 7-8 krisma  njëra pas tjetrës  si dhe ka parë shtetasin Esat Dushaj i cili po largohej me shpejtësi  i cili kishte dhe një armë automatik në dorë si dhe ka parë dy vëllezërit e tij Skënderin dhe Abdullain të shtrire në toke të cilët kishin vdekur në vend.

Ky shtetas deklaron se kanë pasur një konflikt me shtetasin Esat Dushaj pasi ky shtetas ka rreth një vit por kërkon të fejohet me vajzën e Skënderit, e cila është e moshës 19 vjeçe dhe aktualisht jeton në Angli që në vitin 1998. Ne vitin 2006, pasi janë pajisur me pasaporte angleze, ai dhe familja e tij kanë ardhur çdo vit nga një herë në Shqipëri. Megjithëse shtetasi Esat Dushaj i kishte dërguar xhaxhain e tij për të kërkuar vajzën e Skënderit, ato i kishin kthyer përgjigje se nuk do ja jepnin vajzën për nuse. Pasi i kanë kthyer këtë përgjigje, Esati e ka takuar disa herë Skënderin, të cilit i ka thënë se përse nuk ja jepte vajzën për nuse  pasi ai kishte biseduar vetë me vajzën dhe ajo ishte dakord.

Në muajin tetor,  Esat Dushaj kishte shkuar dhe kishte takuar vëllain e tyre, Abdulla Shkambin të cilit i kishte kërkuar falje në lidhje me kërkesat e tij që kishte bërë për tu fejuar me vajzën e Skënderit. Ky shtetas deklaron se ata e kanë ditur që nuk kishin asnjë problem me shtetasin Esat Dushaj, por ky i fundit më datë 02.01.2016 iu ka dalë në pritë dhe ka vrarë vëllezërit e tij shtetasit  Abdulla  Shkambi dhe Skënder Shkambi.

Nisur nga sa me sipër, si edhe nga deklarimet e personave të tjerë, dyshohet se shtetasi Aleksandër  (Esat ) Dushaj ka  kryer veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”  dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve ”, parashikuar nga nenet 79/dh e 278/5 i K.Penal, i cili menjëherë pas kryerjes se veprës penale së bashku me  armen e krimit është larguar nga vendi i ngjarjes duke iu shmangur hetimit. Në kushtet kur provat ishin të mjaftueshme dhe dyshohej se ky shtetas kishte kryer veprat penale të mësipërme  penale, Prokuroria Shkodër  më datë 04.01.2016 ka lëshuar urdhrin e ndalimit për shtetasin Aleksandër (Esat ) Dushaj, duke dyshuar se ky shtetas ka kryer veprat penale te  parashikuara nga nenet 79/dh e 278/5 i K.Penal, urdhër ndalimi i cili është dërguar ne  Drejtorinë e Policisë Shkodër për ekzekutim.

Me procesverbalin e datës 05.01.2016, ora 09.00 policia Gjyqësore ka dokumentuar  ekzekutimin e urdhrit te ndalimit lëshuar për shtetasin Aleksandër Dushaj.

I pyetur në hetim shtetasi Aleksandër Dushaj pranon faktin e vrasjes se shtetasve Abdulla Shkambi dhe Skënder Shkambi  më date 02.01.2016 në fshatin Drisht, njësia administrative Postribë, Bashkia Shkodër duke theksuar se këtë vrasje e kishte kryer pasi viktima Skënder Shkambi e kishte kërcënuar në telefon për arsyen se ai i kërkonte për fejesë vajzën e tij. Gjithashtu ky shtetas deklaron se ditën e ngjarjes që nga mëngjesi deri në momentin kur ka ndodhur ngjarja ka kërkuar që të takohej me shtetasin  Skënder Dushaj, ku për këtë fakt  e ka kërkuar në disa lokale të kësaj zone dhe në fund e ka takuar në momentin që kanë qenë duke shkuar tek banesa e mbesës së tyre. Pasi e ka takuar biseda mes tyre është acaruar,  ku gjithmonë sipas pretendimeve të tij, duke i thënë që vajzën time nuk e merr ti dhe është sharë e ofenduar ai si person dhe familja e tij. Në këtë kohë Aleksandër Dushaj i ka lënë këta shtetas aty dhe ka shkuar me shpejtësi tek banesa e tij, e cila është në një distancë rreth 50 metra nga vendi i ngjarjes ku, pasi ka marrë armen e zjarrit automatik, është kthyer përsëri  tek vendi ku i kishte lënë shtetasit  Skënder e Abdulla Shkambi, të cilët i ka qëlluar në një distancë rreth 7-8 metra. Pasi i ka parë që janë rrëzuar është larguar me shpejtësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb