Sipas njoftimeve të reja të gazetës The Washington Post, operatorët rusë blenë dhjetëra mijëra dollarë reklama në motorin gjigant të kërkimeve në internet, Google vitin e kaluar në një përpjekje për të ndihmuar manjatin e pasurive të patundshme Donald Trump të fitonte presidencën amerikane.

Njerëzit me njohuri për një hetim nga kompania Google i thanë gazetës The Washington Post se kompania globale e teknologjisë zbuloi se agjentët rusë synonin të shpërndanin informacione dezinformuese rreth zgjedhjeve të vitit 2016 nëpër disa platforma të Google, duke përfshirë faqen e saj të videos në YouTube dhe programin e tij të reklamave DoubleClick.

Sipas gazetës ky zbulimi i Googleduket se tregon se reklamat nuk ishin nga i njëjti grup i lidhur me Kremlinin, i cili bleu reklama që kishin të bënin me zgjedhjet në faqen e Facebook-ut, shkruan VOA.
Nuk ka pasur asnjë koment për raportin nga kompania Google apo zyrtarët amerikanë.

Zbulimi i raportuar për një lidhje ruse në operacionet e Google vjen pasi komisione të shumta të kongresit kanë muaj që hetojnë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje, një fushatë që komuniteti i inteligjencës amerikane ka arritur në përfundimin se ishte drejtuar nga presidenti rus Vladimir Putin për të minuar demokracinë amerikane dhe ndihmoj zoti Trump të mposhtë sfiduesen e tij demokrate, ish Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton.

Përveç kësaj, Robert Mueller, ish-drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve, po kryen një hetim kriminal, për të përcaktuar nëse fushata e zotit Trump bashkëpunoi në mënyrë të fshehtë me rusët gjatë sezonit zgjedhor dhe nëse presidenti Donald Trump pengoi drejtësinë duke shkarkuar nga detyra ish shefin e FBI-së, James Comey, kur ai po drejtonte hetimin e agjencisë për Rusinë përpara se ky hetim të merrej përsipër nga zoti Mueller.

Trump ka mohuar ndonjë bashkëpunim të fushatës me Rusinë, por i tha një intervistuesi televiziv se ai po mendonte për “çështjen e Rusisë” kur vendosi të shkarkojë zotin Comey në maj. Një ditë pas shkarkimit të zotit Comey, Trump iu mburr dy zyrtarëve rusë në një takim të Shtëpisë së Bardhë se e kishte shkarkuar zotin Comey dhe e quajti atë “një të çmendur”.

Trump u tha zyrtarëve rusë: “Unë u përballa me presion të madh për shkak të Rusisë. Tani e kam zgjidhur”.
Por disa ditë më vonë, Mueller, megjithë kundërshtimet e zotit Trump, u emërua për të drejtuar hetimin e pavarur penal të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb