Granit Xhaka gjithomnë e më shumë po bëhet protagonist në mediat angleze dhe jo për mirë. Ndeshjen e fundit të Arsenal, mesfushori u ndëshkua sërish me karton të kuq, duke u bërë kështu lojtari që është përjashtuar më shumë nga loja në top 5 kampionatet Europiane në dy vitet e fundit. Por kjo nuk është e gjitha, pasi Xhaka kësaj here ka rregjistruar një incident tjetër, shumë më të rëndë.

Sipas mediave angleze, Xhaka ka fyer një punonjëse të aeroportit të Hithrou në Londër, duke e ofenduar me fjalët “k… e bardhë” në gjuhën gjermane. Incidenti në fjalë ndodhi pasi personi të cilin ai po shoqëronte në aeroport, Leonard Lekaj, një kushëri i të fejuarës së tij, Leonita, nuk u lejua të hynte në avion.

Sipas “The Independent”, një dëshmitar pa se si 24-vjeçari fyeu shumë rëndë punonjësen e aeroportit para se të ndërhynin punonjësit e sigurisë dhe policia. Gjithçka ndodhi për shkak se Lekaj u paraqit me vonesë në aeroport dhe punonjësit në “check-in” i bënë të ditur se kishte humbur avionin.

Xhaka përfundoi pas kësaj ngjarjeje në një komisariat policie në Londrën Perëndimore duke dhënë versionin e tij të ngjarjes.

“Asistenca e policisë u kërkua në orën 19:45 të hënën, më 23 janar, pas aludimeve se një pjesëtar stafi ishte fyer mbi baza racore në terminalin 5 të aeroportit të Hithrou. Ky aludim u bë nga një palë e tretë. Polica bashkëbisedoi me një djalë në të 20-tat i cili nuk u arrestua. Ai vullnetarisht shkoi në një komisariat policie në Londrën Perëndimore ku u mor në pyetje. Hetimet vazhdojnë”, ishte njoftimi i policisë angleze rreth kësaj ngjarjeje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb