Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka mbajtur një fjalim në Kuvend, ku ka kritikuar qeverinë për mënyrën se si po menaxhon procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Xhixho theksoi se për Partinë e Lirisë, integrimi në Bashkimin Evropian nuk është slogan politik, por një proces jetik që lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë.

“Integrimi Europian është prioritet kombëtar dhe jo instrument propagande,” u shpreh ajo, duke shtuar se opozita mbështet rrugën europiane të vendit, por kërkon një proces real dhe jo “fasadë”.

Sipas saj, raportet ndërkombëtare tregojnë se Shqipëria po largohet nga standardet e kërkuara nga Bashkimi Evropian, ndërsa ngriti shqetësime për korrupsionin, kapjen e institucioneve dhe funksionimin e shtetit ligjor.

Ajo solli si krahasim vendet e rajonit, duke theksuar se Mali i Zi ka bërë përparim më të shpejtë në procesin e negociatave, ndërsa Shqipëria, sipas saj, mbetet në vendnumëro.

Xhixho ngriti gjithashtu shqetësime për mosmiratimin e raportit IBAR, i cili lidhet me kapitujt më të rëndësishëm të reformës në drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit.

“Shkatërrimi i shtetit ligjor është themeli i bllokimit të integrimit europian,” u shpreh ajo, duke theksuar se Europa bazohet në vlera si shteti i së drejtës, liria dhe lufta kundër korrupsionit.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar kolegë!
I nderuar kryetar!

Për Partinë e Lirisë, Integrimi Europian nuk është një slogan politik dhe as një instrument propagande. Integrimi Europian është një prioritet kombëtar dhe një proces jetik që lidhet drejtpërdrejt me jetën, sigurinë, mirëqenien dhe të ardhmen e çdo qytetari shqiptar.

Ne e kemi mbështetur dhe do ta mbështesim pa asnjë hezitim rrugën europiane të Shqipërisë, sepse besojmë se anëtarësimi në Bashkimin Europian do të thotë më shumë drejtësi, më shumë liri, më shumë mundësi për qytetarët dhe institucione që i shërbejnë interesit publik.

Pikërisht për këtë arsye, angazhimi ynë është i plotë. Jo për një integrim fasadë, jo për një integrim propagandistik, por për një integrim real, të ndërtuar mbi demokracinë, shtetin ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut.

Por sot, për fat të keq, raportet më të fundit ndërkombëtare për Shqipërinë japin një mesazh të qartë dhe shqetësues, vendi po largohet çdo ditë e më shumë nga standardet europiane.
Dhe alarmi nuk po ngrihet vetëm nga opozita, por nga vetë Bashkimi Europian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Ndaj sot i themi qeverisë: boll e përdorët integrimin europian si propagandë për të mbuluar skandalet, korrupsionin dhe kapjen e shtetit.

Është krim ndaj së tashmes dhe së ardhmes së Shqipërisë që integrimi të përdoret , ndërkohë që dështimi është një fakt që ulërin çdo ditë në raportet ndërkombëtare dhe në realitetin që jetojnë qytetarët shqiptarë.

Ndërsa Mali i Zi ka mbyllur tashmë 14 kapituj negociatash, Shqipëria vijon të zvarritet në vendnumëro. Ky është treguesi më i qartë i dështimit të kësaj qeverie për të përmbushur standardet europiane.
Sot ende nuk kemi miratimin e raportit IBAR. Ky raport, që përcakton nëse janë përmbushur kriteret themelore të shtetit të së drejtës dhe që përfshin grup-kapitullin më të rëndësishëm për Reformën në Drejtësi, sigurinë, luftën kundër korrupsionit dhe liritë e njeriut, nuk ka marrë miratimin e Brukselit ne menyre qe vazhdohet me mbylljen e kapitujve.

Shumë vende europiane kanë ngritur pikëpyetje të forta për situatën reale në Shqipëri dhe për kapjen politike të institucioneve.

Sepse e vërteta është kjo: shkatërrimi i shtetit ligjor është themeli i bllokimit të integrimit europian.

Europa nuk është një treg ku hyn me marrëveshje politike të momentit. Europa është një rend vlerash: shteti i së drejtës, pavarësia e drejtësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, barazia para ligjit dhe mbrojtja e lirive themelore.

Pikërisht këto janë sot më të goditura se kurrë në Shqipëri.

Nuk mund të ketë integrim europian kur drejtësia vihet nën presion politik. Nuk mund të ketë integrim europian kur pushteti përdor institucionet për të mbrojtur korrupsionin dhe jo ligjin.

Votimi në Parlament për çështjen e imunitetit të Belinda Ballukut ishte një akt i pastër politik për të mbrojtur pushtetin dhe për të shkatërruar drejtësinë.

Të gjithë e dimë se Edi Rama nuk mbrojti Belinda Ballukun. Ai mbrojti vetveten.

Ky nuk ishte thjesht një dështim. Ky ishte një rrëzim i plotë i reformës në drejtësi.

Mazhoranca e ktheu imunitetin në një bunker politik dhe juridik, duke i shpallur luftë të hapur drejtësisë. Mandati nuk u trajtua si përgjegjësi ndaj qytetarëve, por si privilegj për të fshehur përgjegjësi penale.

Dhunimi i të drejtave themelore, i së drejtës së fjalës, i së drejtës së protestës dhe i së drejtës së pronës, është një tjetër themel i bllokimit të integrimit europian.

Sepse në Europë nuk mund të hysh duke shkelur pikërisht themelet mbi të cilat është ndërtuar Europa e Bashkuar: lirinë, demokracinë dhe dinjitetin njerëzor.

Raporti i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian evidenton deformimin e zgjedhjeve, përdorimin e administratës për interesa partiake, blerjen e votës dhe presionin ndaj opozitës.

Parlamenti po humbet funksionin e tij si institucion kontrolli dhe po funksionon vetëm me forcën e kartonëve të shumicës.

Raporti ngre shqetësime serioze edhe për korrupsionin, presionin ndaj drejtësisë, sulmet ndaj medias dhe abuzimin me fondet europiane si IPARD.

Në të njëjtën kohë, raporti i “Transparency International” tregoi se Shqipëria ka pësuar një përkeqësim dramatik në perceptimin e korrupsionit, duke rënë me 11 vende në renditje.

Si mund të bësh hapa përpara drejt Bashkimit Europian kur të gjitha standardet, jo vetëm ato të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, por edhe liria e medias dhe liria e shprehjes po shkojnë pikiatë?
Ndërkohë, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve paraqet një panoramë alarmante për ekonominë shqiptare. Korrupsioni, trafiku i drogës, evazioni fiskal dhe ndikimi i grupeve kriminale po deformojnë konkurrencën dhe po largojnë investitorët e huaj nga Shqipëria.
Kjo është pasojë direkte e kapjes së shtetit dhe e një modeli qeverisjeje që favorizon klientelizmin dhe lidhjet me pushtetin, në vend të konkurrencës së ndershme dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Në të njëjtën kohë, Edi Rama, në bashkëpunim me Aleksandar Vuçiç, po promovon një model të rrezikshëm që synon të zëvendësojë integrimin e plotë europian me një integrim të pjesshëm ekonomik.

Ky është një projekt që nuk i shërben qytetarëve shqiptarë, por interesave personale të një elite që kërkon të shmangë standardet, kontrollin dhe përgjegjësitë europiane.

Shqipëria nuk mund të pranojë të trajtohet si periferi. Nuk mund të pranojë një Europë me dy shpejtësi, ku qytetarët shqiptarë mbeten qytetarë të dorës së dytë.

Sot mesazhi i partnerëve ndërkombëtarë është i qartë: pa drejtësi të pavarur, pa luftë reale kundër korrupsionit dhe pa institucione funksionale, Shqipëria nuk mund të ecë përpara drejt Bashkimit Europian dhe keto jane pergjegjesi me se pari e kesaj qeverie.

Momenti gjeopolitik qe ka klthyer vemendjen ndaj Ballkanit Perendimor eshte nje moment qe kerkon plotesim mbi baze merite te cdo standarti europian, pasi nuk ka lluksin Sshqiperia te humbi trenin europian sepse ka qeverine me korruptuar ne europe.

Ky nuk është më vetëm një paralajmërim.

Ky është një alarm për të ardhmen europiane të vendit.

Faleminderit!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb