Gjyqtari i Beratit, Shyqyri Çobo, tashmë i pezulluar nga detyra me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i ka dërguar 170 mesazhe gruas, e cila e denoncoi për ngacmim seksual. Në një periudhë prej 3 muajsh, që nga seanca e parë e gjyqit ndaj gruas 32-vjeçare në Gjykatën e Beratit, Prokuroria ka thënë se Shyqyri Çobo e ka ngacmuar me anë të mbi 300 telefonatave dhe 170 mesazheve të shkruara. Disa prej telefonatave janë regjistruar nga 32-vjeçarja, e cila ua dorëzoi ato hetuesve në momentin që bëri denoncimin. Ndërsa mesazhet janë gjetur të gjitha në telefonin e saj, që është këqyrur nga hetuesit e Krimeve të Rënda.

Bashkë me zbardhjen e mesazheve të dërguara në adresë të 32-vjeçares, hetuesit kanë konfirmuar edhe numrin dërgues të teksteve. Ky numër, sipas Prokurorisë, është regjistruar dhe në përdorim të gjyqtarit Shyqyri Çobo, të pezulluar tashmë nga detyra me akuzën e “korrupsionit pasiv të gjyqtarit…” në formën e kërkimit të favoreve seksuale. Mesazhet e reja Në mesazhet e reja të dërguara nga gjyqtari në telefonin e 32-vjeçares, të cilat publikohen sot nga “Panorama”, bie në sy përpjekja e Shyqyri Çobos për të qenë në kontakt me gruan që po ngacmonte. Po kështu, vihet re se gjyqtari i bën me dije kallëzueses se “ende s’jam investuar në dobinë tuaj”, duke i lënë të kuptohet se ende nuk ka vendosur ta ndihmojë me gjyqin që Irma T., 32 vjeçe, kishte si e paditur nga ish-burri i saj.

Në mesazhet që publikohen sot sqarohet edhe një moment i shpjeguar në kallëzimin dhe dëshminë e gruas që denoncoi gjyqtarin. Fillimisht, pasi ajo i kishte dhënë numrin e telefonit gjyqtarit pas kërkesës së këtij të fundit me argumentin se do t’i gjende avokat, Irma T. kishte konstatuar “afrimitetin që po i jepte gjyqtari”. Për këtë fakt, ajo ka pyetur babain e saj në lidhje me gjyqtarin Shyqyri Çobo. Babai i ka thënë se e njihte gjyqtarin. Denoncuesja ka menduar se Shyqyri Çobo po ia dërgonte mesazhet në fjalë në shenjë respekti apo afrimiteti me babain e saj, por në një SMS, pasi 32-¬vjeçarja e ka pyetur gjyqtarin tashmë të pezulluar, ai përgjigjet: “Shtetas të quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë, Jo, nuk mendoj se e njoh”. Në mesazhet e tjera gjyqtari, sipas Prokurorisë, bën ngacmime ndaj 32-vjeçares, herë duke iu referuar filozofisë, shprehjeve të ndryshme popullore, apo edhe fesë.

MESAZHET E REJA
Mesazhi 1
Ende s’jam investuar në dobinë tuaj …Ndonëse statura juaj sociale post¬martesore për një person të “performancës që unë disponoj – do të jetë ekzigjencë jetësore, kuptohet që të shijosh “Triumfe… do të flasim!! Ok.

Mesazhi 2
Në qartësinë time sundon “Ideja” standarde se fshati xxxx përbëhet nga “komunitete ‘që në aspektin intelektual demonstrojnë DEFICENCË!!! Shtetas të quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë -Jo, nuk mendoj se e njoh … Gjithsesi, do komunikojmë gjykoj… Si mendon ?/ OK??

Mesazhi 3
…Mirëmbrëma…Ju jeni potencialisht e emancipuar …E kupton se …”Miqësia që të njoh progres – kërkohet komunikim dhe jo heshtje, aq më keq druajtje… Mirënjohje!!

Mesazhi 4
Kurani shprehet se “Ndjenja njerëzore më fisnike që Zoti i ka dhuruar njeriut është dashuria”!!

Mesazhi 5
Unë konstatova se –”sharmi yt femëror ishte tepër joshës dhe femëror… mos u prezanto me “modesti (thjeshtësi) të tepruar… do më falësh 100 herë, por “modestia “e tepruar është veti e njeriut ‘Naiv’ (budalla)… për atë performancë që ke, duhet të ndjehesh krenare! Ok?

Mesazhi 6
Mos injoro CV¬në tënde intelektuale që disponon …Si e komenton shprehinë se …”Miqësia shndërrohet në dashuri, ndërsa dashuria kurrrr nuk kthehet në miqësi”…?

Mesazhi 7
Kurrë s’duhet të pretendojmë idealen, në këtë jetë makabër! Më pëlqen doktrina sociale franceze se: “Në jetë të tjera duam, të tjera na duan dhe të tjera kemi”!/panorama
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: