Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka reaguar në lidhje me dërgimin e mesazheve zgjedhore nga forcat politike sa i takon ‘Lokaleve’ të 14 majit.

Në deklaratën e KDIMDP bëhet thirrje që të ndalohet menjëherë çdo përpunim i paligjshëm i të dhënave personale.
Sipas Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, dërgimi i këtyre mesazheve konsiderohet si përpunim i paligjshëm i të dhënave personale.

Mes të tjerash thuhet se çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik do të penalizohet sipas legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.

DEKLARATA
Ditët e fundit është konstatuar një dërgim masiv mesazhesh të një subjekti zgjedhor në drejtim të qytetarëve nëpërmjet shërbimit të telefonisë së levizshme. Kjo veprimtari konsiderohet përpunim i paligjshëm i të dhënave personale dhe vjen në kundërshtim me parashikimet e ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur në dispozicion të partive politike dhe të çdo subjekti zgjedhor, por edhe të gjithë publikut Udhëzuesin “Për përpunimin e të dhënave personale në kontekstin e fushatave zgjedhore”. Në këtë dokument shpjegohet edhe më qartë qasja në raport me përpunimin e ligjshëm të të dhënave personale.

Zyra e Komisionerit do të hetojë çdo rast të shkeljes së ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” nga çdo subjekt zgjedhor apo operator ekonomik. Zyra e Komisionerit, gjithashtu, u bën thirrje të gjithë subjekteve zgjedhore të ndalojnë menjëherë çdo përpunim të paligjshëm të të dhënave personale.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb