Një gjeoglif i ri, më shumë se 2 000-vjeçar, është zbuluar së fundmi në Peru, në territorin e vizatimeve gjigante misterioze në shkretëtirën e Nazca-s.

Gjeoglifi, që përfaqëson një mace me veshë të theksuar, është rreth 37 metra i gjatë dhe u nxor nga harresa pas zbulimit të vijave të tij nga një fluturim me dron.

Sipas karakteristikave të tij stilistike, ai daton nga fundi i periudhës Paracas, një civilizim antik para-inkas (800 vjet para Krishtit).

“Silueta mezi dukej. Ishte në prag të zhdukjes për shkak të vendndodhjes në një shpat mjaft të pjerrët dhe prej efekteve të erozionit natyror”, tha Ministria peruane e Kulturës.

Një grup arkeologësh pastruan dhe rivizatuan konturet e gjeoglifit, gjerësia e të cilave arrin në 30-40 centimetra.

Të listuara si Trashëgimi Botërore, gjeoglifet e Nazca-s, të zbuluara gati një shekull më parë në jug të Perusë, janë figura gjeometrike që përfaqësojnë rreth 70 kafshë dhe bimë, të dukshme vetëm nga qielli dhe që prej vitesh ushqejnë një nga enigmat më të mëdha në planet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb