Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se operacioni i fundit humanitar në Oleshky dëshmoi se luftimet mes Rusisë dhe Ukrainës mund të ndalen nëse Vladimir Putin vendos ta bëjë këtë.
Duke folur sot në samitin ibero-amerikan në Madrid, Zelenskyy tha se armëpushimi i përkohshëm në këtë zonë solli disa ditë qetësie, pa sulme, duke bërë të mundur shpëtimin e qindra jetëve.
“Kur Putini dëshiron që luftimet të ndalen, ato ndalen. Pati qetësi të vërtetë, nuk pati sulme për disa ditë dhe ne shpëtuam qindra jetë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Armëpushimi gjashtëditor, i cili hyri në fuqi më 23 tetor, ishte një nga marrëveshjet më të rëndësishme për ndërprerjen e luftimeve që prej nisjes së pushtimit rus në shkallë të plotë, në vitin 2022.
Marrëveshja u arrit në një kohë kur vijojnë përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës, ndërsa rifillimi i sulmeve pas përfundimit të armëpushimit nxori në pah vështirësitë për arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Gjatë aktivitetit, Zelenskyy vlerësoi gjithashtu kontributin humanitar të Melania Trump, duke e nderuar me Urdhrin e Princeshës Olga, një dekoratë që u jepet grave për kontributet e shquara në Ukrainë.
