Gazetari investigativ italian Nello Trocchia, i ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, ka komentuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për kampet e procesimit të emigrantëve të kapur në det në përpjekje për të shkuar drejt Italisë.

Sipas Trocchia-s, kjo marrëveshje përfaqëson një dështim të dukshëm si nga pikëpamja politike, ashtu edhe nga ajo ekonomike, duke sjellë kosto të larta për palët e përfshira.

“Marrëveshja Itali-Shqipëri për refugjatët është një dështim i madh për të dyja palët. Italia ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro, ndërsa rreth 120 milionë euro shkojnë për Shqipërinë për të garantuar sigurinë”, u shpreh gazetari.

Ai shtoi se, sipas tij, vendimi për këtë marrëveshje ka qenë i gabuar nga ana politike dhe ekonomike, duke e cilësuar si një zgjedhje të pasaktë të qeverisë italiane.

“Unë besoj se kjo marrëveshje ka qenë një zgjedhje e gabuar nga ana e Melonit dhe një pozicionim i gabuar politikisht”, deklaroi Trocchia.

Gazetari italian ngriti gjithashtu dyshime mbi ndikimin që kjo marrëveshje mund të ketë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, duke theksuar se edhe vetë Italia, sipas tij, ka humbur peshë në arenën evropiane.

“Nuk e di nëse kjo marrëveshje e ndihmon Shqipërinë për anëtarësim në BE, sepse edhe Italia ka humbur peshën e saj në arenën europiane”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb