Diaspora për Shqipërinë e Lirë, ka reaguar lidhur me drejtimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në reagimin e saj të publikuar në Facebook, thekson se është e i inkurajuar nga shpallja publike e kandidaturës së akademikut Artan Fuga ka treguar aftësinë për të artikuluar një vizion të ri dhe të guximshëm për të ardhmen e Akademisë së Shkencave.

“Ne gjykojmë se nevojitet kalimi në një fazë tjetër të historisë së Akademisë së Shkencave, drejt një rrugëtimi të ri i cili kërkon domosdoshmërisht një ndryshim thelbësor të saj, duke filluar nga udhëheqja e deri në organizimin e brendshëm të institucionit”, thuhet më tej në deklaratë.

REAGIMI I PLOTË:

Zgjedhjet e ardhshme për drejtimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Akademia e Shkencave konsiderohet si një ndër institucionet më të rëndësishme për nxitjen e dijes dhe për zhvillimin shkencor në një vend. Parimisht, ajo duhet të mbledhë bashkë mendjet më të ndritura të vendit, brenda dhe jashtë shtetit, dhe të mundësojë financim dhe bashkëpunim më të gjerë me organizata të tjera.

Duke njohur dhe respektuar ato vlera të vërteta shkencore në anëtarë të ndryshëm të asamblesë të Akademisë së shkencave, përtej disa nismave të lajmëruara, por akoma të parealizuara, Akademia e Shkencave të Shqipërisë dëshmon të njëjtën përgjumje institucionale dhe mungesë vizioni që gjendet pothuajse në të gjithë hapësirën institucionale të Shtetit Shqiptar.

Lëvizja ka ndjekur dhe do të vazhdojë të ndjekë me interes zhvillimet e brendshme të këtij institucioni, duke shpresuar se si përfaqësuese e kapacitetit intelektual të studiuesve shqiptarë, ajo do të vihet në rrugën e duhur.

Propozime për ndryshime të ligjit në shërbim të interesave personale të një individi apo edhe më shumë janë tërësisht të papranueshme përderisa ato nuk shkojnë në rinovinim e domosdoshëm të këtij institucione me vlerë kombëtare.

Ne gjykojmë se nevojitet kalimi në një fazë tjetër të historisë së Akademisë së Shkencave, drejt një rrugëtimi të ri i cili kërkon domosdoshmërisht një ndryshim thelbësor të saj, duke filluar nga udhëheqja e deri në organizimin e brendshëm të institucionit.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë është e inkurajuar nga shpallja publike e kandidaturës së Prof.Dr. Artan Fuga, i cili në gjykimin tonë ka treguar dhe vazhdon të tregojë aftësinë për të artikuluar një vizion të ri dhe të guximshëm për të ardhmen e Akademisë së Shkencave, si edhe kapacitetin për ta realizuar atë.

I urojmë atij suksese në këtë përpjekje si dhe inkurajojmë akademikë shqiptarë të ndërmarrin të njëjtin hap.

DPSHL është e gatshme tu ofrojë kandidatëve mbështetje falë kapacitetit akademik që gjendet brenda radhëve të Lëvizjes. Suksesi i Akademisë së Shkencave është në interes të të gjithëve dhe si e tillë ne jemi të gatshëm të japim kontributin tonë.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Akademia

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb