Një rënie e lehtë e pjellorisë së grave të neandertalit për mijëra vite shpjegon zhdukjen e kësaj qenie antike njerëzore, sipas një studimi të shfaqur të mërkurën në revistën shkencore amerikane “PLOS ONE”.

Burrat dhe gratë e Neandertalit kanë jetuar në Europë mes viteve 400 000 dhe 40 000 vite para epokës sonë dhe zhdukja e tyre përkoi me ardhjen e homo sapiensit (lloji jonë).

Por arsyet e zhdukjes mbeten një enigmë. Të masakruar nga sapiensët? Epidemitë? Apo një dobësim progresiv përballë një sapiensi më dinak që kishte zënë më shumë burime?

Duke analizuar të dhëna të ndryshme që dihen mbi këta ish-njerëz, autorët dalin në përfundimin se disa hipoteza nuk janë të mundshme, si për shembull, një rritje e vdekshmërisë foshnjore apo të të rriturve në lidhje me konfliktet apo epidemitë.

“Kjo do të sillte një zhdukje shumë të shpejtë të popullsisë së neandertalit!”, shkruan Silvana Condemi, antropologe në universitetin “Aix Marseille” dhe bashkëautore e këtij studimi.

“Në të kundërt një rënie e lehtë e pjellorisë por vetëm tek gratë më të reja (nën 20 vjeç) mundëson që të arrihet një zhdukje e popullsisë në afatet që njihen. Kjo rënie e pjellorisë është shumë e dobët por është mjaftueshëm që në një kohë të gjatë të zhdukë neandertalin”, vazhdon ajo.

Por ky është edhe limiti i këtyre punimeve, pasi studiuesit theksojnë se kanë arritur të shpjegojnë se si, por jo përse.

Për aq kohë që fosilet e kësaj epoke do të jenë të rralla, shkencëtarët do të qëndrojnë tek hipotezat për të shpjeguar përse gratë e reja të neandertalit filluan të lindin më pak fëmijë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb